Arbëri

Shasha: Zhvillimet në Bruksel tregojnë se marrëveshja finale është afër

Demush Shasha, drejtor i Institutit “Epik”, ka thënë se takimi në Bruksel i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, mbi dialogun, ka qenë produktiv.

Shasha në emisionin “60 Minuta” të KTV-së tha se zhvillimet e fundit në Bruksel tregojnë se marrëveshja finale është afër. Nga takimi i 18 gushtit, ai nxori katër konkludime.

“Nga takimi djeshëm mund të konkludojmë katër gjëra. E para, ka koordinim të plotë mes Qeverisë me partnerët ndërkombëtarë dhe Kosova po konsiderohet si palë e barabartë në tavolinë. E dyta, e pamë një koordinim SHBA-BE-NATO. Pamë një koordinim mes SHBA-së dhe BE-së dhe angazhimi diplomatik po jep rezultate. Në fund, jam optimist për arritjen e marrëveshjes, por jam skeptik për përkushtimin e Vuçiqit për arritjen e marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve. Vuçiq do synoj të shtyjë arritjen e çfarëdo marrëveshje përfundimtare duke shpresuar se zgjatja e luftës në Ukrainë do të përçajë komunitetin perëndimor, do vendosë aleatin e Serbisë, Rusinë, në pozitë më të favorshme dhe të krijojë situatë më të favorshme për zgjidhje më të mirë për Serbinë”.

Shasha tha se ndërkombëtarët duan të shmangin çfarëdo hapësire për destabilizim apo që mund të shfrytëzohet nga Rusia, si Ballkanin Perëndimor, dhe për këtë tha ai, është mëse e mundshme që të arrihet marrëveshja.

“Po jetojmë në rrethana më të jashtëzakonshme në kuadër të dialogut dehe këto japin arsye për të qenë optimist se SHBA dhe BE në sfondin e luftës në Ukrainë, po vënë vëmendjen për të mbyllur çfarëdo hapësira të potencialit të destabilizimit që mund t’i përdorë Rusisë, e që është edhe Ballkani Perëndimor”.

Thirrjen e Vuçiqit për përfaqësuesit serbë, Shasha e quajti cirk politik të presidentit serb, që sipas tij, nuk duhet të merret me shqetësim.

“Kjo është pjesë e zakonshme e cirkut politik që Vuçiq orkestron çdo herë për qëllimet e veta të brendshme. Është pjesë e kalkulimeve të brendshme dhe asgjë që duhet të merret me shqetësim”.