Arbëri

Krejt çka ndodhi sot në takimin e Kryesisë së Kuvendit

Kadri Veseli për herë të fundit ka dalë në foltore si kryetar i vjetër i Kuvendit, derisa ka zgjedhur të mos tregojë nëse do të jetë kandidati i PAN-it për një mandat të ri si shef i legjislativit.

Pas mbledhjes së Kryesisë, që ishte edhe e fundit për përbërjen e vjetër, Veseli ka thënë se nga tre gushti vazhdon maratona e seancave të Kuvendit, derisa beson që legjislatura e gjashtë do të jetë më efikase dhe do të punojë më shumë për të mirën e vendit, raporton KTV.

Ndërkohë, Aida Dërguti e Vetëvendosjes ka thënë se po bëhen gati dy muaj nga përfundimi i zgjedhjeve, ndërsa PAN-i po vazhdon me spekulime se i kanë numrat për t’i krijuar institucionet e reja. Ajo ka thënë se Vetëvendosje nuk ka pse të pyetet a do ta votojë Kadri Veselin nëse do të dalë kandidat për kryetar, kur dihet se as herën e kaluar nuk kanë dhënë votë për të.

Pos Veselit e Dërgutit, askush tjetër nuk u deklarua para mediave, megjithëse të gjithë përfaqësuesit ishin në takim, e serbët aty i përfaqësoi lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Nuk dihet nëse seanca e 3 gushtit do të sjellë ndryshime në emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, ndryshimet që do të ndodhin është se deputetët e lëvizjes Vetëvendosje do të zënë ulëset e LDK-së, meqë nga zgjedhjet e 11 qershorit doli si partia e dytë në vend.

Në mes do të jetë koalicioni PAN, derisa në vendin e Vetëvendosjes do të ulen deputetët e LDK-së, AKR-së e Alternativës, që u renditën si të tretët në vend.

Ndërkohë, nga e mërkura deputetët e Kuvendit do të fillojnë regjistrimin si deputetë të legjislaturës së gjashtë.