Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka thënë se kryeministri Albin Kurti deklaratën që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë fetare për vajzat mbi 16 vjet e ka dhënë vetëm për vota.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Peci ka thënë se çështja e shamive është agjendë më e gjerë dhe se vendimi nuk duhet t’i takojë vetëm një qeverie.
“Qëndrimin e tij e dimë nga fushata parazgjedhore. E bëri përsëritjen e deklaratës së mëhershme edhe sot. Mendoj që vendimi për lejimin apo moslejimin e shamive dhe uniformave fetare në shkolla s’është vetëm vendim i një qeverie, por i një debati shoqëror dhe politik dhe tek pastaj të vendoset kur të trajtohen të gjitha implikimet që mund të ketë çfarëdo vendimi”, ka thënë ai duke shtuar se personalisht është kundër lejimit të shamive në shkolla “sepse godet karakterin sekular të institucioneve”.
“Është agjendë elektorale. Ka të bëjë me vota dhe asgjë tjetër. Ka dallime të mëdha edhe mes simpatizuesve dhe anëtarësisë së VV-së. Qasja ‘Krejt dhe Drejt’ te çështja e shamisë s’besoj se do t’i funksionojë Vetëvendosjes, sepse tejkalon agjendën e një partie politike. Është agjendë më e gjerë, problem më i madh sesa thjeshtë një premtim elektoral”, ka thënë tutje Peci.
Sipas tij, kryeministri duhet të merret me çështje tjera në arsim para se të flasë për shamitë.
Peci ka thënë se Kosova nuk është precedent në ndalimin e shamive në shkolla. Sipas tij, lejimi i një gjëje të tillë do t’i jepte primat një feje mbi tjetrën dhe do të prishte karakterin sekular.
Ai e ka quajtur rrezik të madh lejimin e bartjes së shamive në shkolla duke shtuar se “kjo i hap rrugë institucionalizimit të islamit politik”.
Sipas Pecit, shqiptarët me vështirësi kanë arritur të krijojnë identitetin sekular.
“Esenca e shqiptarëve është që të kemi identitetin nacional sekular, që shumë e barazojnë me ateizëm por s’ka të bëjë me të. Ka të bëjë me respektim fesh, por feja është e ndarë nga shteti. Kjo ka qenë shtylla jonë mbajtëse e ajo që jemi sot si rregullim shtetëror. Neve mund të na debalancojnë këtë që jemi, si pasojë e lëvizjeve globale islamiste”, ka shtuar Peci.
Ai ka numëruar hulumtime të disa vjetëve të fundit duke thënë se më 2016, mbi 32 për qind e myslimanëve të anketuar në vend, “më së pari e ndiejnë veten myslimanë, pastaj shqiptarë”.
-
12 gusht 2022 19:55
-
Shpërndaje në: