Arbëri

Haxhimusa: Thirrja e Qeverisë për kursim të energjisë është boshe

Thirrjen e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për kursim të energjisë elektrike, e ka quajtur boshe Adhurim Haxhimusa, njohës i fushës së energjetikës.

Haxhimusa në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Qeveria duhet të marrë vendime dhe jo të bëjë thirrje.

“Thirrjet për mua janë boshe, kjo formë e komunikimit është boshe, pse duhet të kursej unë energji, cila është arsyeja. Pse ta ndal unë nxehjen time, dua të nxehem, kjo është thirrje boshe dhe Qeveria nuk është për të bërë thirrje, por të marrë vendime dhe me dhënë sinjale të caktuar se në cilin drejtim duhet të shkojmë ne si konsumatorë. Kriza vitin e kaluar nuk ka qenë Ukraina, pasojë e dekarbonizimit ka qenë krizë e vitit të kaluar. Kjo krizë është duke u shkaktuar tash, plus kriza në Ukrainë”, tha ai.

Haxhimusa kërkon që të ketë reflektim të kostos të sistemit elektroenergjetik. Kjo sipas tij, nënkupton rritje të çmimit pasi shpjegoi se “nuk mund të shkojmë në sistemin elektroenergjetik pa ngritje të çmimit”.

Ai ka thënë se ngritja e çmimeve të faturës së energjisë elektrike ka qenë e paralajmëruar prej vitesh. Çmimet, sipas tij, janë sinjal se sa duhet konsumuar e sa duhet prodhuar.

“Kjo ka qenë një paralajmërim prej 2017 se çmimet do shkojnë vetëm duke u ngritë dhe Kosovë nuk ka mundur t’i ikë kësaj. Është pritë dhe është paralajmëruar që kanë me ardhë këto ngritje për shkak të dekarbonizimit të sektorit energjetik. Kriza energjetike nuk mund të menaxhohet vetëm prej qeverisë, duhet mobilizim i të gjithë qytetarëve, institucioneve he bizneseve”, tha ai në Interaktiv të KTV-së.

Haxhimusa paralajmëroi për dimër më të vështirë sa i përket krizës me energji.

“Çdo lëvizje e çmimit është prekje e drejtpërdrejtë e mënyrës si funksionon tregu. Duhet analizë që tregon arsyen pse 10% a 20%, ndoshta duhet një diskriminim me u bë, dikujt 10 e diku 20%. E presim një dimër më të vështirë, do jetë më i vështirë se vitin e kaluar”.


Haxhimusa: Çmimet do të ngrihen, reduktimet e energjisë nuk ka mundësi t'i ndalim

Haxhimusa ka thënë se rritje të çmimit të energjisë elektrike pritet të ketë ende më lartë.

Ai ka thënë se Qeveria duhet t’i analizojë opsionet që të mos ketë ndërprerje të furnizimit me energji.

“Pritet të ketë ngritje, pse? Kur ndizen më shumë termocentralet e thëngjillit, rriten kërkesat për certifikata, derisa oferta është e bllokuar, shkakton vetëm rritje çmimi. Çmimi i energjisë vetëm do të shkojë përpjetë e përpjetë. Qeveria duhet të bëjë analizë se cilat janë opsionet tona që të nxisim grupet e konsumatorëve që të mos kemi ndërprerje të energjisë. Opsioni i fundit është ndërprerja e energjisë”, ka thënë ai.

Theksoi se nuk ka mundësi që të ndalen reduktimet e energjisë për shkak të kapacitetit për import që e ka Kosova.

“Kur e kapërcen mbi 900 mbigjenerimin dhe e kemi megavatin 1000 euro, e vetmja formë është reduktimi i energjisë. Nuk e kemi luksin të importojmë aq shumë. Shqipëria i ka bërë nder të madh Kosovës që ka pranuar të shkëmbejë një me një. Kjo e zbutë, por se sa nuk e di, ndoshta ka me pasë orë që na ndihmojnë të mos ketë reduktime, por reduktimet nuk ka mundësi t’i ndalim”, tha Haxhimusa.

Ekonomisti i energjisë tha se secili projekt që është nisur në Kosovë ndër vite në fushën energjetike, është djallëzuar dhe nuk ka arritur finalizimin.

“Sektori energjetik në Kosovë ka qenë aq shumë i politizuar sa që tash kjo qeveri e ka edhe një faj se ka qenë opozitë, këtu çdo projekt që është nisë në energji është djallëzuar. Edhe pse ka pasur shumë projekte të mira, është djallëzuar”.