Arbëri

Thaçi kujton Enver Zymberin, 25 korrikun e 2011-ës e quan ditë të bashkimit të Kosovës

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, ka kujtuar përmes profilit të tij në Facebook, Enver Zymberin.

“Në çdo 25 korrik e kujtojmë me krenari heroin e pavarësisë, Enver Zymberin. Ai ra heroikisht në krye të detyrës, duke mbrojtur kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e shtetit tonë”, ka thënë Thaçi.

Në 25 korrikun e 2011-ës, Thaçi i printe Qeverisë së Kosovës, kur kishte dhënë urdhër që ROSU të shkel në veri.

“Njësitë speciale të Policisë së Kosovës morën nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 dhe kjo ishte edhe Dita e Bashkimit të Kosovës. Enveri do të kujtohet gjithmonë për guximin e dëshmuar në mbrojtjen e Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Koha Ditore ka shkruar sot se bëhen gjashtë vjet nga ndërhyrja e njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit, në atë që njihet përpjekje e parë serioze për shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin.

Ndonëse krerët e shtetit atë kohë, por edhe në përvjetorët e asaj ndërhyrjeje, e vlerësojnë si aksion që ka penguar ndarjen e Kosovës, shumëçka atje funksionon si edhe para aksionit.

Barrikadat e vendosura në shumë akse rrugore të komunave veriore kanë qëndruar me vite dhe janë larguar tek kohëve të fundit. Por ato nuk kanë rëndësi, meqë simbolet e ndarjes dhe pengimit të lëvizjes së lirë, siç është ura mbi Ibër dhe rruga kryesore e Mitrovicës veriore mbeten edhe më tej të bllokuara.