Arbëri

Zhurma nga kafenetë, shqetësim i banorëve të kryeqytetit

Zhurma që vjen nga kafenetë dhe diskotekat sidomos gjatë stinës së verës po shkakton pakënaqësi dhe reagime të shumta tek banorët e kryeqytetit.

Drejtori i Drejtoratit të Inspektoriatit në Komunën e Prishtinës, Salih Zyba, ka pranuar se ka shkelje të shumta nga ana e bizneseve, veçmas nga kafenetë, të cilat tejkalojnë normat e lejuara të zhurmës dhe si rrjedhojë shkaktojnë reagime dhe pakënaqësi të mëdha tek banorët.

“Kemi shqetësim të jashtëzakonshëm të qytetarëve për zhurmën. Ne kemi përgjegjësi ligjore për ta luftuar këtë dukuri dhe jemi duke e bërë një gjë të tillë, veçmas në bashkëpunim me stacionin policor Qendër, pasi pikërisht në këtë pjesë ka më shumë shqetësime nga banorët. Zhurmat më të mëdha janë aktualisht nga lokalet dhe kafenetë“, ka theksuar Zyba për televizionin publik.

Megjithatë tejkalimi i normës së zhurmës nuk bëhet vetëm nga kafenetë. Sipas tij, nuk janë të rralla rastet kur evidentohen rastet e shkeljes së normave të zhurmës edhe nga vendpunishtet e ndryshme, fabrikat, por edhe makinat.

“Ne nuk e neglizhojmë asnjë thirrje të qytetarëve. Pasi t’i evidentojmë shkelësit e ligjit, ne, fillimisht marrim masën e vërejtjes, kurse në rast se ata i përsërisin këto shkelje atëherë i shqiptojmë edhe gjobat. Megjithatë, duhet pranuar se shpesh kemi përsëritje të tejkalimit të zhurmës, pasi gjobat që shqiptohen nuk janë të mëdha. Gjithsesi, luftimi i kësaj dukurie nga ana jonë ka bërë që të zvogëlohet dukshëm numri i bizneseve që tejkalojnë normat e zhurmës”, ka shtuar Zyba.

Sipas tij shqetësimet më të mëdha të qytetarëve janë pas orës 22:00. Zyba ka bërë të ditur se qytetarët mund t’i paraqesin shkelësit e zhurmës duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 122 44, ku ruhet identiteti i qytetarit.