Arbëri

Ambasada e Rusisë në Beograd e quan provokim të Kosovës ndalimin e Aslamovas

Ambasada e Rusisë në Beograd e ka quajtur provokim nga ana e Kosovës arrestimin e ruses Daria Aslimova e cila më pas u lirua dhe iu ndalua hyrja për pesë vjet.

Aslamova, gazetare e “Komsomolskaya Pravda”, nga disa shtete shihet si spiune ruse. Ajo u arrestua të shtunën pasdite, ndërsa kishte tentuar të hynte në Kosovë nga pika kufitare në veri. Të dielën ajo u lirua dhe u shpall person i padëshirueshëm. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se ruses i është ndaluar hyrja për pesë vjet.

“Ne e konsiderojmë arrestimin e Daria Aslamovas si një provokim tjetër të institucioneve të përkohshme të autoriteteve vetëqeverisëse në Kosovë, një shembull për mosrespektim të parimeve themelore demokratike në Prishtinë, përfshirë lirinë e mediave”, është thënë nga Ambasada.

Sipas Ambasadës së Rusisë në Beograd, Aslamova, është marrë në pyetje për disa orë dhe i është ndaluar ta përdorë telefonin celular e po ashtu gjësendet e saja janë konfiskuar.

Ambasada ka thënë se Aslamova aktualisht është në Serbi, ndërsa ka treguar se ka njoftuar UNMIK-un për rastin dhe përfaqësuesit tjerë ndërkombëtarë në Kosovë.

"Ne i bëjmë thirrje Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara, UNMIK-ut, Misionit të OSBE-së në Kosovë, EULEX-it dhe organizatave ndërkombëtare që menjëherë të shpjegohen publikisht për atë që ka ndodhur”, ka thënë Ambasada.

Sveçla tha se Aslamova në Kosovë kishte ardhur me direktiva të caktuara. 

“Si ministër i Punëve të Brendshme, brenda kompetencave të mia ligjore, bazuar në Ligjin për të Huaj, nenet 17 dhe 66 A, kam shpallur person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës Daria Asmalovan. Hyrja e këtij personi është e ndaluar për pesë vite në territorin e Republikës së Kosovës. Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla të dielën në Facebook.