Arbëri

Petkoviq: Serbët duan Asociacionin me të gjitha kompetencat ekzekutive

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka humbur çdo kredibilitet për të folur për dialogun dhe marrëveshjet e arritura.

Ai e ka akuzuar Bislimin, duke thënë se po dezinformon dhe po bën interpretime arbitrare.

Reagimi i Petkoviqit vjen një ditë pasi që Bislimi në një intervistë për televizionin publik akuzoi duke thënë se pala serbe nuk po i zbaton marrëveshjet, përfshirë edhe udhërrëfyesin e fundit për energjinë duke shkelur afatet.

“Bislimi ka shkuar aq larg, duke pretenduar se serbët në veri të Kosovës në fakt duan të heqin dorë nga letërnjoftimet dhe targat serbe, por se këtë nuk po e lejon Beogradi zyrtar dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, të cilët gjoja po i shtyjnë në një lloj proteste. E vërteta është se Beogradi zyrtar po lufton ekskluzivisht për paqen dhe stabilitetin”, ka thënë Petkoviq.

Bislimi në intervistë në televizionin publik tha se prapa çdo trazire në shtetet e Ballkanit Perëndimor fshihet presidenti Vuçiq, që tenton të përdorë serbët lokalë.

“Asnjë serb në veri të Kosovës nuk do as dokumente e as tabela të shtetit të rrejshëm”, ka thënë Petkoviq.

Petkoviq ka thënë se ajo që duan serbët në veri është Asociacioni i Komunave me të gjitha kompetencat e përgjegjësitë ekzekutive.

“Serbët duan Asociacionin me të gjitha kompetencat dhe përgjegjësitë ekzekutive siç është rënë dakord në marrëveshjen e vitit 2013 në Bruksel dhe atë të vitit 2015 për parimet e përgjithshme, e jo siç dëshiron Bislimi, duke e krahasuar Asociacionin me një organizatë joqeveritare”, ka shtuar Petkoviq.

Petkoviq ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi kanë penguar në zbatimin e marrëveshjes për energji.

“Në vend që të bisedoj personalisht me njerëzit tanë në veri të Kosovës e M. për zbatimin e marrëveshjes për energjinë që do të mundësonte furnizim të qëndrueshme me energji elektrike, Prishtina disa herë më ndaloi hyrjen në Kosovë me kërkesë personale të Bislimit. Pastaj Prishtina filloi të shkelë marrëveshjen, duke ushtruar presion në sektorin energjetik të Republikës së Kosovës, për të penguar udhërrëfyesin dhe funksionimin e pavarur të Elektroseverit. Me marrëveshjen për energjinë, kemi arritur të sigurojmë pavarësinë e Elektroseverit në furnizim dhe shpërndarje dhe prandaj nuk kemi arsye të vëmë në dyshim atë marrëveshje, siç pretendon Bislimi”, tha Petkoviq.