Arbëri

Bërnabiq pas deklaratës së Escobarit: Nëse kushtëzoni Asociacionin, s’ka kuptim as dialogu

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë të shtunën se është krejt i pakuptimtë dialogu nëse formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kushtëzohet në përputhje me ligjin e Kosovës.

Ajo iu kundërpërgjigj deklaratës së të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili të premten u shpreh se nuk duhet të ketë Asociacion “shtet brenda një shteti”, si dhe “duhet respektuar ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës”.

Bërnabiq nuk është optimiste se në takimin e 18 gushtit në Bruksel mes Aleksander Vuçiqit dhe Albin Kurtit do të diskutohet rreth Asociacionit, transmeton N1.

“Nëse e vendosni atë në përputhje me ligjet e tyre, e bën të kotë të gjithë dialogun, nëse ata vetë nuk i respektojnë, dhe Prishtina nuk e respekton Kushtetutën e saj. Nëse e respekton, nuk do të kishte ushtri të Kosovës, sepse në atë Kushtetutë thuhet që duhen pyetur serbët, por nuk janë pyetur”, thotë kryeministrja serbe.

Ajo shtoi se Marrëveshja e Brukselit “duhet të jetë mbi të ashtuquajturën Kushtetutë”.

“Dje kam pasur një takim me ambasadorin amerikan Christopher Hill, kam thënë që shpresoj në qasje konstruktive, nuk shoh se ka vend për bisedë me Kurtin, ai nuk ka dëshirë”, shtoi ajo.

Brnabiq shqetësohet edhe se përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, sipas saj, ka thënë se nuk mund ta detyrojnë Prishtinën të bëjë asgjë, ndërsa BE-ja është garantuese e Marrëveshjes së Brukselit.

“Ne duhet ta ruajmë paqen, sado e vështirë të jetë – nuk ka qenë kurrë më e vështirë”, thekson ajo.