Arbëri

Ambasadori Hovenier mirëpret nisjen e punës së Gjykatës Komerciale

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Gjykata Komerciale do ta përshpejtojë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve komplekse komerciale.

“Mirëpresim inaugurimin e Gjykatës Ekonomike të Kosovës të hënën. Kjo gjykatë, e mbështetur nga USAID, do të përshpejtojë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve komplekse komerciale dhe është një hap i madh përpara për rindërtimin e besimit të sektorit privat në sistemin gjyqësor të Kosovës”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Pas vendimeve, rregulloreve, organogramit si dhe miratimit të planit të punës nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës por edhe lëndëve të transferuara, puna e Gjykatës Komerciale ka filluar zyrtarisht me 1 gusht.

Gjykata Komerciale u miratua në këtë fillim vit në Kuvendin e Kosovës. Edhe qeveritë e mëhershme kishin planifikuar krijimin e një Gjykate të tillë, përmes së cilës synohet zgjidhja e mosmarrëveshjeve në fushën e biznesit.

Gjykata Komerciale është kompetente për të gjykuar dhe ka juridiksion ekskluziv për të gjykuar, në Dhomat e shkallës së parë dhe Dhomat e shkallës së dytë, kontestet ndërmjet shoqërive tregtare vendore dhe të huaja, kontestet në mes të institucioneve publike dhe subjekteve private, si dhe kontestet në mes të personave juridikë vendorë dhe të huaj, në lidhje me çështjet e ndërsjella tregtare.

Vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për të gjithë personat fizikë dhe juridikë. Gjykata publikon të gjitha aktgjykimet në faqen e saj zyrtare të internetit, në afat prej 60 ditësh nga data e nxjerrjes së aktgjykimit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.