Arbëri

Peci: Takimi me Blinkenin, fillim i normalizimit të raporteve me SHBA-në

Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i Institutit KIPRED ka thënë se takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, të mërkurën në Washington, shënon fillimin e normalizimit të raporteve me Amerikën.

Peci ka thënë në “Desku” të KTV-së të enjten, se këtij takimi ia ka hapur rrugën ndryshimi i imazhit të Kosovës në Bruksel sa i përket dialogut.

“Pas disa lëvizjeve që i ka pasur qeveria e kaluar në raport me Uashingtonin, kjo vizitë shënon fillimin e normalizimit të mirëfilltë të raporteve me SHBA-në. Ndryshimi i imazhit të Kosovës tani në Bruksel në raport me Serbinë sa i përket dialogut, i kanë hapur rrugë Kosovës që të ketë këtë takim me sekretarin Blinken. Tani e tutje duhet t’i përmbahemi kësaj linje”, ka thënë Peci.

Ai ka shtuar se nuk i ka pëlqyer fakti që udhëheqësit shtetërorë të Kosovës nuk e kanë vënë në pah dialogun gjatë këtij takimi, derisa Departamenti i Shtetit i ka vënë theks të veçantë kësaj çështjeje.

“Nuk më ka pëlqyer në deklaratat para dhe pas takimit që udhëheqësit tanë shtetëror nuk e vunë në pah të parë çështjen e dialogut ndërsa pasatja departamenti i shtetit tregoi pas takimit se pika kryesore ka qenë çështja e bisedimeve. Nuk duhet ta vazhdojmë më tutje këtë lojë. Interesi kyç i SHBA-së në Kosovë dhe rajon janë pikat e nxehta si dialogu Kosovë-Serbi dhe situata në Bosnjë e cila është më se kritike”, është shprehur Peci.

Sipas tij, ky takim nuk është historik, por është i pari i këtij nivelit të qeverisë aktuale.