Arbëri

Rreth 200 mijë grekë e kanë vizituar Shqipërinë këtë vit

Descriptive Text

Gati 200.000 qytetarë grekë e kanë vizituar Shqipërinë në gjysmën e parë të këtij viti, njoftoi mediumi greke “Ekathimerini” të enjten.

Sipas këtij mediumi, ky numër i grekëve që kanë qëndruar në Shqipëri, është pjesë e më shumë se 2.5 milionë shtetasve të huaj që vizituan vendin ballkanik këtë vit, deri në fund të qershorit.

Shifra e përgjithshme e mbërritjeve në Shqipëri është 51,3% më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021, tha në një raport të hënën Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT).

Njoftimin e kanë shpërndarë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro Furxhi.

Mirëpo në rrjete sociale është marrë me rezervë kjo shifër. Në shumë prej komenteve thuhej se bëhet fjalë për shqiptarët që kanë pasaportë greke dhe që kthehen për pushime në vendlindje.

Në qershor, 876.056 vizitorë të huaj mbërritën në Shqipëri, një rritje prej 45% nga viti i kaluar.

Rritja më e madhe në bazë vjetore është regjistruar për shtetasit grekë, në masën 410%, pasi 199.943 prej tyre kanë vizituar Shqipërinë në periudhën janar-qershor të këtij viti.