Arbëri

Kërkesat për legalizim të objekteve, peng të zhvillimeve politike në vend

Mijëra kërkesa të qytetarëve në tërë vendin, të cilët kanë aplikuar për legalizimin e objekteve pa leje, kanë mbetur në sirtarët e komunave pa u shqyrtuar, duke ua pamundësuar kështu atyre zgjidhjen e çështjes së banimit.

Krejt kjo për shkak të Ligjit për legalizim, i cili ka pësuar ndryshime, por nuk ka arritur të miratohet në Kuvend, pas rënies së Qeverisë dhe Kuvendit, raporton KTV.

Vetëm në Komunën e Prishtinës janë me mijëra sosh, për të cilat zyrtarët komunal nuk kanë mundur të marrin ndonjë vendim për legalizimin ose jo të objekteve pa leje dhe me tejkalime, gjë që sipas tyre u ka shkaktuar vështirësi në punë.

Kërkesa të tilla të shumta kanë mbetur edhe në komunën e Prizrenit, pavarësisht se ishte miratuar edhe një rregullore në Kuvendin Komunal përmes së cilës kërkohej legalizimi sa më i shpejtë.

Zyrtarët e komunës së këtij qyteti thonë se faji është te Qeveria, e cila kishte pezulluar Ligjin për legalizim, duke ua bllokuar punën.

Në Ministrinë e Mjedisit thonë se mosinteresimi i qytetarëve në mbarë vendin për t’i legalizuar objektet e tyre pa leje, për shkak të dokumentacionit të shumtë dhe kostos së lartë i ka shtyrë institucionet gjegjëse që të iniciojnë ligjin e ri, i cili parasheh ndryshime dhe do të jetë më i thjeshtë.