Arbëri

Osmani: Sllovenia përkrah Kosovën për liberalizim të vizave e anëtarësim në KiE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur mirënjohëse ndaj Sllovenisë për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në takimin e së hënës me homologun e saj slloven, Borut Pahor, në Lubljanë, Osmani ka thënë se raportet ndërshtetërore me Slloveninë do të thellohen dhe intensifikohen vazhdimisht në të ardhmen.

Ajo ka shtuar se marrëdhëniet e afërta ndërmjet popujve të Kosovës dhe Sllovenisë, datojnë që nga vitet e para luftës dhe janë zhvilluar hovshëm në vitet që pasuan.

“Kosova dhe Sllovenia ndajnë të njëjtin vizion për paqe e prosperitet në rajon bazuar në vlerat euro-atlantike. Anëtarësimi në BE dhe NATO është garanci kryesore për paqe në rajonin tonë. Mirënjohës pafund për mbështetjen e Sllovenisë për të ardhmen tonë evropiane, përfshirë për përkrahjen për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shtuar Osmani.

Sipas saj, ekziston gatishmëria e dyanshme që të punohet për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fushën ekonomike, atë të mbrojtjes e në diplomaci.