Arbëri

Sveçla: Sulmi ndaj policëve, i paprovokuar dhe i rëndë

Descriptive Text

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e quajti të patolerueshëm ligjërisht e moralisht sulmin ndaj dy zyrtarëve policorë në Skenderaj.

Ai shkroi në Facebook të dielën se sulmi ishte i paprovokuar dhe i rëndë ndaj Policisë, derisa tha se policët në ushtrimin e detyrave publike “duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar”.

“Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e Republikës”, shkroi i pari i MBP-së.

Sveçla tha se sapo të kthehet nga Brukseli do t’i vizitojë policët e plagosur.

“I uroj nga zemra shërim të shpejtë dhe të plotë dy policëve të plagosur sot. Do t'i vizitoj nga afër sapo të kthehem nga udhëtimi zyrtar në Bruksel. Mbes i bindur se nuk ka asgjë që mund t'i zmbraps ata dhe kolegët e tyre nga misioni që ia jep detyra e vullneti.. Unë, por dhe të gjithë qytetarët presim që organet e drejtësisë të marrin masa, sipas ligjeve në fuqi dhe pa ekuivoke për sulmuesit”, thuhet në statusin e tij në Facebook.

Mesnatën e së shtunës, dy zyrtarë policorë mbetën të plagosur në qytetin e Skenderajt. Dyshohet se në sulm u përfshinë ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku e disa familjarë të tij.