Arbëri

Lajçak: Vendimi i Prishtinës ka ndryshuar situatën

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se vendimi i Kosovës për reciprocitet për letërnjoftimet, ka ndryshuar temat dhe planet e vizitës së tij.

Ai nuk ka pranuar të komentojë kërcënimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Kemi pasur diskutim shumë serioz mbrëmë për situatën dhe sigurisht duhet të shikojmë për zgjidhje nëpërmjet dialogut dhe jo konfrontimeve”, ka thënë Lajçak në Beograd, raporton “N1”.

Ai ka thënë se tash është situatë e re që ia ka ndryshuar planet e vizitës në rajon.

“Kam ardhur në rajon për ta përgatitur takimin e ardhshëm të liderëve dhe të flas për progresin dhe normalizimin e raporteve dhe tani duhet të zgjidhim këtë situatë. Nuk duhet të lejojmë të ketë krizë”, ka thënë ai.

Para vizitës në Beograd, Lajçaku ishte në Prishtinë. Ai të mërkurën u shpreh optimist për takim mes krerëve të Kosovës dhe të Serbisë para pushimeve të verës.

Pasdite, Qeveria e Kosovës vendosi që të nisë me zbatimin e masës së reciprocitetit për letërnjoftimet e shtetasve serbë që hyjnë në Kosovë. Në mbledhjen elektronike të ekzekutivit është vendosur që qytetarët me dokumente të Serbisë do të pajisen me një fletë-deklarim, njëjtë siç bëjnë autoritetet serbe për qytetarët e Kosovës, të cilët hyjnë në Serbi.

Qeveria po ashtu u ka dhënë edhe një mundësi pronarëve të automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia.

Ata, sipas vendimit, mund t’i regjistrojnë automjetet e tyre me targa RKS nga 1 korriku deri në fund të muajit shtator.

“Me vendimin e parë të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS. Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 30.09.2022”, thuhet tutje në vendim.