Arbëri

Abdixhiku ia përmend Lajçakut vizat dhe marrëveshjen me Serbinë

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u takua të martën edhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Në komunikatën e LDK-së, thuhet se temë kyç e takimit ishte dialogu Kosovë-Serbi, derisa Abdixhiku deklaroi se marrëveshja me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje reciproke, normalizim të marrëdhënieve e respektim të rendin kushtetues të Kosovës.

Abdixhiku i kërkoi Lajçakut edhe përshpejtim të procesit të liberalizimit të vizave.

“Kryetari Abdixhiku, ndër të tjera, tha se LDK mbetet partnere kredibile e miqve ndërkombëtar në të gjitha proceset e rëndësishme dhe integruese të vendit. Në fund të takimit, kryetari Abdixhiku, specifikisht kërkoi përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave e cila u adresua edhe në Rezolutën e EPP-së, që u votua në fillim të muajit në Rotterdam. Po ashtu, kryetari Abdixhiku, kërkoi përkushtimin e plotë të BE-së në proceset integruese të rajonit”, thuhet në njoftim.

I dërguari i BE-së, gjatë ditës së martë, u takua me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi dhe me atë të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai të hënën u takua me kryeministrin Albin Kurti, derisa pas Kosovës, diplomati sllovak do ta vizitojë Serbinë.