Arbëri

Sivjet s’parashikohet shtrenjtim i mëtejmë i rrymës

Gjykata pezullon vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja të energjisë

Sipas parashikimeve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, deri në mars të vitit 2023 nuk parashikohet të ketë shtrenjtim të mëtejmë të energjisë, ka thënë kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, në “Interaktiv” të KTV-së të premten.

Fejzullahu ka thënë se ky parashikim vlen nëse çmimet aktuale mbesin dhe njësitet prodhuese vazhdojnë me prodhim sipas parashikimeve të mëhershme.

“Nëse këto vazhdojnë, s’do të ketë nevojë për shqyrtim të jashtëzakonshëm deri në mars 2023. Por sipas parashikimeve në Evropë, do të jetë vit i zymtë. Ne varemi nga tregu më i paparashikueshëm që varet nga një person në këtë rast. Të gjitha shtetet janë duke shikuar alternativa të tjera të furnizimit me energji”, ka thënë ai.

Sipas tij, po synohet thellim i bashkëpunimit me Shqipërinë që të ketë tejkalim më të lehtë të krizës.

Në fund ai ka apeluar qytetarët që të nisin përgatitjet për furnizim të mëhershëm për ngrohje, si alternativë të energjisë elektrike.

Sivjet në shkurt, ZRRE-ja vendosi ta kthejë blloktarifën në 800KWh. Sipas vendimit, kushdo që tejkalon këtë vlerë do të paguajë me tarifa më të shtrenjta. Për të tejkaluar krizën, Qeveria pati ndarë 100 milionë euro.