Arbëri

Qeveria mund të marrë penalltinë e parë nga Bechtel Enka

Qeveria mund të marrë penalltinë e parë nga “Bechtel & Enka” nëse vazhdon vonesa në kryerjen e obligimit financiar që institucionet kanë ndaj kësaj kompanie që po e ndërton autostradën “Arbën Xhaferi”.

Ky është vetëm një nga problemet që pritet të shtyjë qeverinë në detyrë që në javën e ardhshme të mbajë prapë një mbledhje dhe ku duhet të bëjë rialokim të mjeteve për të kryer edhe një numër pagesash të mbetura pezull, raporton KTV.

Ndërsa, ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se buxheti i rishikuar është gati dhe mund të hyjë për miratim që në javën e ardhshme, por që ky i fundit do të vazhdojë të mbetet i bllokuar deri në legjislaturën e re.

Në këtë mbledhje, qeveria ua ka vazhduar mandatin edhe për 3 vjet të tjera disa sekretarëve dhe kryeshefit të Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë, ndërsa Lah Nitaj është emëruar kryeshef i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve me mandat 3 -vjeçar.

Nga kjo mbledhje është marrë vendim që në mungesë të ministrit apo zëvendësministrit të një ministrie nuk futet në diskutim asnjë propozim i sponsorizuar nga ta.