Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përkrahja dhe tërheqja e Teuta Rugovës për Haradinajn në PAN

Një herë të vetme kishte folur në Kuvendin e Kosovës për 3 vjet, derisa tani Teuta Rugova është kthyer me një deklaratë të shkruar ku i ofron mbështetjen e saj Ramush Haradinajt.

Ajo është deri tani e vetmja deputete nga LDK/AKR që publikisht është deklaruar në mbështetje të Ramush Haradinajt, raporton KTV.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo deklaratë e saj ka ardhur pas vizitës që i nominuari i PAN-it, Ramush Haradinaj i ka bërë familjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Në Facebook, Rugova ka shkruar se përkrahja e saj është në interes të Kosovës dhe madje i ka bërë thirrje LDK-së që të ndjekë rrugën e saj.

“Nuk është e drejta jonë të injorojmë votën e qytetarit, por nuk është as e drejta jonë të injorojmë bashkëpunimin e ngushtë të babait tim, presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, me Ramush Haradinajn. Unë ju siguroj se babai im, presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në situatën e sotme kurrsesi nuk do të kishte udhëhequr LDK-në në asi mënyre që t’i bllokojë proceset dhe t’i injorojë rekomandimet e miqve tanë të përhershëm, SHBA-së dhe BE-së”, ka shkruar Rugova.

Vetëm një orë më vonë ajo ka shkruar se do të votojë njësoj si LDK-ja dhe jo jashtë qëndrimit të partisë së saj.

Tashmë janë bërë më shumë se një javë prej kur Haradinaj pati deklaruar se seanca konstitutive e Kuvendit mbahet gjatë kësaj jave, por pamundësia për t’i siguruar numrat, e ka shtyrë seancën.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që gjatë javës ka takuar nëpër kafiteri Hardinajn e Kadri Veselin, ndërkaq i ka ftuar partitë në një takim konsultativ të hënën.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në këtë takim, meqenëse konsideron se të vetmen detyrë që e ka presidenti për momentin, është thirrja e seancës konstitutive, e jo takime për konsulta.

“Kjo është tendencë e qartë për të krijuar përshtypjen e krizës ku të gjithë duhet të ulen në një tryezë dhe ka thjeshtë për qëllim shpëlarjen e takimeve të kafeneve me koalicionin e PAN-it, të cilët duke qenë se më shpejtë po i ikën koha se sa që po i bëjnë numrat për formimin e qeverisë, po mendojnë se tek Thaçi kanë gjetur mundësinë e blerjes së kohës” thuhet në njoftimin e VV-së.

Ndërkaq, koalicioni LAA ende nuk është deklaruar për pjesëmarrje në takim.