Arbëri

Rama në BE: Çmenduri dhe turp – kosovarët nën Jugosllavi lëviznin lirshëm, tash mbahen peng

Descriptive Text

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur të çmendur dhe të turpshëm izolimin që po u bëhet qytetarëve të Kosovës me mosliberalizimin e vizave, pavarësisht plotësimit të kushteve.

Ai pas samitit të Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor ka thënë se kjo ka qenë një nga temat për të cilat ka folur me liderët evropianë.

“Është një kidnapim që po u bëhet qytetarëve të Kosovës. S’po u lejohet të lëvizin të lirë. I vetmi popull në shpirt të Evropës e që s’mund të lëvizë lirshëm. Ju thashë: ‘Ishin nën diktator të Jugosllavisë, ndoshta dy. Mund të lëviznin kudo e të punonin. Që kur u çlirua, çliruesit e tyre po i mbajnë peng. S’mund të lëvizin’. Kjo është çmendur, e turpshme dhe duhet të përfundojë. Njerëzit duhet të lëvizin lirshëm”, ka thënë Rama në një konferencë për shtyp pas samitit, bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski.

Rama i del në krah Serbisë: Nuk është në pozitë të veprojë aq shpejt

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se dëshiron të shprehë keqardhjen për Bashkimin Evropian, duke deklaruar se është e turpshme që Maqedonia e Veriut e Shqipëria po mbahen peng nga Bullgaria për integrim në BE. Ai i ka dalë në mbrojtje Serbisë pas presioneve që po i bëhen nga Perëndimi për të vënë sanksione ndaj Rusisë. Ka thënë se “shtrëngimi” i madh mund të çojë në efekte të kundërta.

“Charles Michel na tha kemi tre minuta, i thash se ka mundur të jenë vetëm 30 sekonda po të përmbushnin ato premtime që kanë dhënë. Kështu që nuk mjaftuan tre minuta. I thash se ndjehemi mirë dhe keq. Mirë pasi jemi evropianë është gjë e madhe të jesh mes evropianëve, e keq pasi nuk mund të dëgjohemi si evropianë, por si mysafirë, në një shtëpi të ndarë”, tha Rama në një konferencë për shtyp pas samitit.

Ai ka thënë se është shqetësuese që as pandemia e lufta në Ukrainë nuk ka bërë që të ndryshohet qasja e disa shteteve të Bashkimit Evropian.

Ai e ka quajtur të turpshme sjelljen e Bullgarisë, duke thënë se po mban peng dy shtete të NATO-s.

Ka shtuar se Maqedonia e Veriut ka ndryshuar edhe emrin, por prapë nuk është hapur negociatat për anëtarësim.

“Imagjinoni që Franca e Italia të duhej të ndërronin emrin për anëtarësim”, tha Rama.

Ai ka thënë se Ballkani i Hapur është mjet për të bërë konkret Procesin e Berlinit.

“Unë kam kërkuar përkrahje të plotë për Ballkanin e Plotë, por edhe në këtë janë të ndarë, sikur po jetojnë në Ballkan. Edhe për këtë janë të ndarë, se çfarë bëjmë në lagjen tonë”, ka thënë Rama.

Ai ka përshëndetur edhe për idenë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për hapjen e një Komunitetit të Ri Evropian Politik.

E po ashtu ka folur për Serbinë. Ai ka thënë se është dashur të ngre zërin për Serbinë.

“U përpoqa të them se është një vend ku popullariteti i Vladimir Putinit është 80 për qind. Serbia s’është në pozitë të veprojë aq shpejt dhe shtrëngimi aq i madh rrezikon të sjellë efekt krejtësisht të kundërt. Kush do ta paguante më pas? Agjenda evropiane për Serbinë dhe popullin”, ka thënë Rama. “S’duam luftë. S’kemi nevojë për konflikte, gjak, tensione në rajonin tonë. Prandaj ta ruajmë rrugën e përparimit”.

Rama: Paqen që e kërkojmë do ta arrijmë me “Ballkanin e Hapur”, e jo me postime në Facebook

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se paqja në Ballkan Perëndimor do të arrihet përfundimisht nëpërmjet iniciativës “Ballkani i Hapur” e jo me postime në Facebook, apo me tensione e me helikopterë.

Rama ka thënë se të gjitha shtetet janë të ftuara në iniciativë.

“E kam thënë qindra herë, është tavolinë e hapur për të gjithë, për të gjitha 6 shtetet. Aleksandari e quan e ashtuquajtura Kosovë, unë e quaj Kosovë dhe pikë. Kjo nuk ndalon të punojmë bashkë. Imagjioni sikur luftojmë njëri-tjetrin, çfarë vendi do të ishte Ballkani sot”, tha Rama. “E kam thënë këtë, nuk duhet të jetë problem i Qeverisë së Kosovës të vijë, duhet të jetë problemi i presidentit të Serbisë ta pranojë. Kjo e përfundon të gjithë. E ndjej privilegj të punoj për këtë mekanizëm. Ky bashkëpunim do të sjellë edhe paqen. Paqja e fundit që po e kërkojmë vjen nëpërmjet ‘Ballkanit të Hapur’ e jo nëpërmjet tensioneve e helikopterëve apo postimeve në Facebook. Është shumë e thjeshtë”.

Rama ka thënë se “Ballkani i Hapur” po funksionon dhe se mund të shihen rezultatet.

“Nëse kaloni nëpërmjet kufijtë e gjelbër të ‘Ballkanit të Hapur’ atëherë nuk ka pritje të kamionëve, mallrave. Nëse dërgoni qumësht në shtetet që nuk janë në ‘Ballkan të Hapur’, atëherë vjen jogurt”, tha Rama.

E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se iniciativa i ka bërë tri shtetet e Ballkanit Perëndimor më të fortë.

“Kemi besim më të madh në vete se më herët. E dimë se duhet të mbajmë paqen e qetësinë në rajon, të gjithë ne kemi nevojë ta dimë. Vetëm shikoni një ditë luftë në Ukrainë sot, a dëshironi të shihni sërish në Ballkan, unë jo. Mos e nënvlerësoni këtë, mos e nënvlerësoni iniciativën”, ka thënë Vuçiq.

Rama është tallur duke thënë se mund të thuhet se është agjent i rekrutuar nga Vuçiqi, pasi ashtu po thuhet.