Arbëri

Kurti për marrëveshjen e energjisë: Po bëjmë më të mirën me atë çfarë kemi trashëguar

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e tij po mundohet të bëjë më të mirë në raport me atë që ka trashëguar, kur ka folur në mbledhjen e kabinetit, një ditë pasi Kosova e Serbia u zotuan për implementim të marrëveshjes për energjinë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.

Në Bruksel, Kosova dhe Serbia të martën miratuan udhërrëfyesin për implementimin e marrëveshjeve të energjisë në veri të Kosovës. Dy shtetet miratuan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në veri. Marrëveshje ishte arritur qysh më 2013, por s’ishte zbatuar. Bëhet fjalë për energjinë që shpenzojnë serbët në veri e nuk e paguajnë. Me marrëveshje parashihet që Zyra e Rregullatorit të Energjisë të lëshojë licencë furnizimi te “Elektroseveri”, i cili do të merret me operimin në katër komunat në veri.

Në mbledhjen e së mërkurës, Kurti ka thënë se me marrëveshje katër komunat në veri do të kalojnë në një rend të faturimit të pagesave.

“Kemi trashëguar shumë gjëra që nuk kemi dashur. Po bëjmë më të mirën me atë çfarë kemi trashëguar. Siç jemi zotuar, pas 20 vitesh po e ndalim një padrejtësi dhe gjakderdhje financiare në atë pjesë të vendit dhe po përfundojmë një problematikë në sektorin e energjisë. Ky sektor është prioritar për Qeverinë e Republikës së Kosovës, pasi prek çdo aspekt të jetës së qytetarëve tanë”, ka thënë Kurti.

Vetëvendosje u kritikua të martën nga opozita pasi u zotua për implementim të një marrëveshjeje të cilën në të kaluarën e kishte kritikuar sa ishte në opozitë.