Arbëri

Kuçi: Molliqaj u arrestua e u godit nga policët civilë, nuk ka askund kështu

Zëdhënësja e Partisë Social Demokrate (PSD), Natyra Kuçi, ka deklaruar se policia i ka thënë kreut të kësaj partie, Dardan Molliqaj, se ka marrë urdhër me telefon një ditë më parë që ta arrestonte.

Kuçi ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të enjten, se është hera e dytë që Molliqaj arrestohet duke u shkelur procedurat ligjore, sipas saj. Ajo shtoi se ngjarja bëhet më serioze, kur shihet se Molliqajn dhe bashkëpunëtorët e tij i arrestuan dhe i goditën policët civilë.

Molliqaj dhe tre zyrtarë tjerë të PSD-së u arrestuan pas protestës së veteranëve, e mbajtur të enjten në Prishtinë.

“Tri shkallë janë: ftesat, prurja me forcë dhe në fund fletëarresti. Atyre u kanë thënë që kanë marrë urdhër me telefon për arrestime. E kanë bërë sot me konfrontime, siç edhe Policia vetë deklaroi se ka qenë e planifikuar që të arrestohen brenda në protestë. Është hera e dytë që Dardan Molliqaj arrestohet duke u shkelur procedurat ligjore”, ka thënë Kuçi.

Ajo insistoi se gjatë arrestimit të Molliqajt është përdorur dhunë nga policia, derisa ka kritikuar arrestimet nga policët civilë.

“Në momentin që jemi shkëputur prej veteranëve, 30 vetë na kanë rrethuar për ta arrestuar Dardan Molliqajn. Nuk ka kuptim që të na arrestojnë policët civilë. Të gjithë ata që kanë filluar arrestimin dhe kanë goditur janë pa uniformë. Nuk ka asnjë ligj në botë që ta lejon të shkosh si polic civilë e ta arrestosh dikë. Ka policë që kanë përdorur dhunë e të cilët i shpërndajnë postimet e Sveçlës në rrjete sociale gjatë gjithë kohës. Kjo polici po politizohet dhe po bëhet një shtet policor. Nuk kam asnjë dyshim që kjo qeveri i frikësohet jashtëzakonisht shumë rezistencës opozitare dhe qeveritare”, është shprehur Kuçi.

Ndaj Molliqajt ishte lëshuar të mërkurën urdhërarrest nga Gjykata, për rastin e sulmit fizik ndaj deputetit Haki Abazi.