Arbëri

​Jashari: Me miratimin e projektligjit për pagën minimale, deputetët ia plotësuan dëshirën Serbisë

Descriptive Text

Mjeranë që ia plotësuan dëshirën Serbisë për ta goditur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ka quajtur deputetët që votuan pro miratimit të projektligjit për pagën minimale, Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.

Përmes një proteste gjithëpopullore, organizatat e dala nga lufta do të kundërshtojnë projektligjin që përcakton pagën minimale. Ata kanë dalë kundër ndryshimeve ligjore që parashohin shkëputjen e ndërlidhjes së pensionit të veteranëve me pagën minimale në vend.

Jashari nuk përjashton mundësinë që protesta e së premtes e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të vazhdojë deri në realizmin e kërkesës së tyre, që është tërheqja prapa e këtij projektligji.

“Mjerimi i gjithë kësaj është se deputetët e Listës Serbe e arritën qëllimin ta godasin edhe njëherë luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por unë ju bëj me dije edhe atyre, por edhe deputetët mjeranë që e ngritën dorën, deputetët shqiptarë që e keqpërdorën besimin e qytetarit që ua dhanë votën për ta zhvilluar vendin, t’i respektojnë kategoritë e veçanta, siç janë veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve. Ata mjeranë e ngritën dorën dhe turp iu qoftë që e plotësuan edhe një dëshirë, për t’u mohuar e drejta dhe për të bërë përpjekje që ta degradojnë luftën e UÇK-së, me udhëzime të Serbisë”, ka thënë Jashari për KosovaPress.

Jashari thotë se këtë projektligj do ta kundërshtojnë me të gjitha format demokratike, derisa shton që presin nga deputetët opozitarë ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese.

Të martën, Kuvendi i Kosovës miratoi në parim, me 68 vota për, projektligjin që përcakton pagën minimale. Për kalimin e këtij projektligji ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe, ndërsa komunitetet e tjera jo-shumicë abstenuan. Projektligji është kundërshtuar nga opozita, e cila nuk mori pjesë në votim.