Arbëri

FOL: Sigurimet shëndetësore, bazë e rritjes dhe punësimit në Kosovë

Një hulumtim i bërë nga Lëvizja “Fol” tregon se si do të mund të rritej numri i punësuarve në vend.

Gersi Gashi nga kjo lëvizje, thotë se bazuar në përvojat e shteteve të tjera, sigurimet shëndetësore do të ndikonin në zvogëlimin e numrit të të papunëve, raporton KTV.

Duke bërë prezantimin e të gjeturave nga hulumtimi "Ndikimi i Sigurimit shëndetësor në ekonomi të Kosovës”, Gashi thekson se një nga rekomandimet e dala nga ky hulumtim, është ulja e premiumeve në 5 për qind.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, për mungesën e sigurimeve shëndetësore i fajëson të gjitha Qeveritë e deritashme, por edhe faktorin ndërkombëtar.

Ndërsa, Lumnije Hashani, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se sfidë për fillimin e sigurimeve shëndetësore, mbetet fillimi i mbledhjes së premiumeve.

E kryetar i BSPK-së, Haxhi Arifi, konsideron se nuk është befasues fakti që qeveritë nuk nguten që t’i përmbushin obligimet e tyre për ligje, e jo vetëm për këtë ligj, por edhe për shumë të tjerë.

Hulumtimi i Lëvizjes “Fol” është përkrahur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe implementohet nga “Helvetas Swiss Cooperation” dhe MDA-ja.