Arbëri

Piraj: Në Kosovë, ata që e kanë përjetuar luftën blejnë më shumë produkte serbe sesa të rinjtë

Burim Piraj, nga grupi “Besa Besë” që lidhet me kauzën “Mos bli prodhime serbe”, ka thënë se në Kosovë qytetarët të cilët kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë blejnë më shumë produkte serbe se që blejnë të rinjtë sot.

Ai në emisionin “Sot” në KTV ka thënë se në vitin 2022, Serbia nuk qëndron e para si importuese në Kosovë.

“Studentët dhe nxënësit e shkollave fillore i lexojnë produktet, e identifikojnë produktin serb dhe nuk i blejnë. Por të rriturit si për çudi edhe ata që e kanë përjetuar luftën, shkojnë dhe blejnë prodhime serbe shpesh pa ditur se është prodhim serb me arsyetimin se janë më lirë. Kur shohim se për cilat produkte po flasin, ato janë të luksit, nuk janë produkte të nevojshme patjetër për ekzistencën e një shtrese të shoqërisë. Është një shtresë që nuk e di në çfarë mënyrë ka krijuar lidhje aq të forta me Serbinë dhe i nënshtrohet Serbisë dhe prodhimeve serbe, vazhdon t’i blejë dhe ka besueshmëri në to”, ka thënë ai.

Piraj ka thënë se ai ka rezerva edhe për materialet ndërtimore që vijnë nga Serbia për shkak të mendësisë së serbëve.

“Unë kam rezerva edhe në materialet ndërtimore nga Serbia sepse nuk kanë rrezatim apo diçka tjetër sepse në mendësinë e popullit serb është që popullin e Kosovës duhet ta shkatërrojë”.

Piraj theksoi se barra më e madhe për produktet serbe në treg, bie mbi qytetarët. Sipas tij, qytetarët “duhet ta dinë se çfarë historie kemi pasur”.

“Të gjithë ata që i konsumojnë prodhimet serbe duhet ta dinë se ata po i kontribuojnë gjendjes ku jemi dhe fuqizimit të ekonomisë serbe. Me fuqizimin e ekonomisë ata po janë në gjendje të blejnë më shumë armatim, që të bëjnë propagandë më të madhe”, tha ai.

Piraj shtoi se institucionet e Kosovës duhet t’i bëjnë reciprocitet Serbisë sa i përket ndalimit të transitit të mallrave që vijnë për Kosovë.

“Ka një pjesë tët borxhit edhe në institucionet e Kosovës pse 23 vjet ndodh edhe e njëjta gjë dhe nuk i kundërvihet Serbisë ndërsa merren më shumë gjëra të dorës së dytë”, ka shtuar ai.

Ai tregoi për gjendjen e produkteve serbe në tregun në Kosovë. Tha se po ka mashtrime me to që të shiten më shumë.

“Nga ajo që shohim në terren ka shumë prodhime serbe që kanë zbritje vazhdimisht. Ka mashtrime ku tentohen të shiten prodhime serbe sepse nuk po u shiten, ka mashtrime sepse disa prodhime serbe i kanë mbuluar me tiketë dhe i kanë vendosur barkod kosovar, disave u vënë flamuj të shteteve të ndryshme për t’i shitur prodhimet e Serbisë”, ka deklaruar Piraj.

Problemin më të madh Piraj e sheh te Cola-Cola, pasi tha se përmes saj Serbia po e “dhunon” tregun e Kosovës.

“Problemin më të madh e kemi me Coca-Colan, është eksportues i madh në Kosovë dhe Coca-Cola si korporatë po e dhunon tregun e Kosovës, në mënyrë të dhunshme po i shet prodhimet e Serbisë në Kosovë”, përfundoi ai.