Arbëri

Skadimi i vendimit të Qeverisë i jep hov shtrenjtimit të naftës

Që nga 1 qershori çmimet e derivateve janë rritur për 10 centë. Të martën një litër naftë është tregtuar me 1 euro e 79 centë, ndërsa një litër benzinë 1 euro e 83 centë. Rritja është theksuar pas skadimit të vendimit të Qeverisë që kufizonte marzhën tregtare. Nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thonë se me Ligjin e ri për naftën ua lejon ndërhyrjen në çmime, por që duhen akte nënligjore për këtë.

Skadimi i vendimit të Qeverisë, që kufizonte marzhën e fitimit për derivate, është përcjellë me luhatje të mëdha të çmimeve.

Nga 1 qershori çmimet u rritën për 10 centë, duke bërë që të martën të arrijnë rekordin, ku një litër naftë është tregtuar me 1 euro e 79 centë e një litër benzinë në 1 euro e 83 centë.

Nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë për KOHËN se me Ligjin e ri për naftën Qeveria mund të ndërhyjë për të mënjanuar çrregullimet në treg.

Por për këtë duhet të nxirret një akt tjetër ligjor, për të cilin kanë thënë se po punojnë.

Derisa të hartohet ky akt ligjor, çmimet do të mbeten të parregulluara.

Por, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, insiston në atë se rritja e çmimeve diktohet nga bursa dhe se kjo po ndodh në tërë botën.

“Besoj që qytetarët janë duke e kuptuar se rritja e çmimeve diktohet nga bursa. Nuk mund të paragjykojmë sa do të ketë rritje pasi ka lëvizje të mëdha në bursën ndërkombëtare. Çmimet janë të larta për gjendjen ekonomike në të cilën janë qytetarët, por rritja është duke ndodhur në tërë globin, jo vetëm te ne”, ka thënë ai.

Rritje të çmimeve të martën ka pasur edhe në vendet e rajonit.

Në Maqedoninë e Veriut çmimi ka arritur në 112 dinarë apo në 1 euro e 82 centë. Afro 2 euro është çmimi i naftës në Shqipëri, e në 1 euro e 85 centë në Bosnjë- Hercegovinë.

Sipas ekonomistit Edison Jakurti, çmimet e derivateve pritet që të rriten deri në 140 dollarë për fuqi dhe se sytë janë kah vendet e OPEC-ut, nga të cilat pritet të rritet prodhimi që do të ndikonte në uljen e çmimeve.

“Qeveria duhet të fokusohet te marzha e fitimit të importuesve, pasi që e shohim qartë se jo vetëm kur ka rritje në tregjet ndërkombëtare, por edhe kur ka stabilitet apo rënie të çmimeve, tregtarët në Kosovë vazhdojnë t’i rrisin çmimet me arsyetimin se ka rritje të çmimit ndërkombëtarisht. Përveç kufizimit të marzhës së fitimit, mbase është koha të mendohet për vendosjen e çmimeve tavan – mbi të cilat nuk do të mund të lëviznin çmimet e derivateve”, ka thënë Jakurti.

E kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, ka kërkuar nga Qeveria heqjen urgjente të akcizës për derivate të naftës në sektorin që ai përfaqëson.

Qeveria në mars kishte marrë vendim për kufizim të marzhës tregtare për importuesit dhe shitësit me pakicë të naftës.