Arbëri

Radarët e fshehtë në rrugët nacionale

Prej disa ditësh policia rrugore në Shqipëri ka vënë në përdorim disa radarë të fshehtë, të cilët fotografojnë shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor. “Këta nuk mund të quhen radarë spiunë.

Janë pajisje teknike që njihen nga Kodi Rrugor dhe janë vendosur në akse problematike në bazë të një analize, ku nga eksperienca e viteve të kaluara kemi patur ngjarje rrugore. Realizojnë nga 600 deri 800 shkrepje", thotë Skënder Ismaili, Shef i sigurisë rrugore.

Shefi i sigurisë rrugore thotë për Top Channel se gjoba do t’u shkojë me postë në banesë shkelësve. Por në rastet kur qytetarët kane ndërruar banesë, sipas Kodit Rrugor duhet të paraqiten brenda 10 ditësh në drejtorinë rajonale të transportit, ose të konsultohen me sistemin online E-gjoba.

“Pasi shkarkohen të dhënat e mbledhura nga radari, operatorët e Policisë Rrugore do të plotësojnë masat administrative dhe do t’i dërgojnë me postë në adresat përkatëse. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të kontrollojnë edhe sistemin E-gjoba", sqaron Ismaili. Për herë të parë, Policia Rrugore ka ngritur edhe një njësi operacionale, e cila do të ketë autoritetin të zhvillojë kontrolle blic në të gjithë vendin.