Arbëri

Edhe një pjesëtar i FSK-së shpallet studenti më i mirë në Kolegjin Mbretëror në Britani

Në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore në Cranwell të Mbretërisë së Bashkuar u mbajt ceremonia e diplomimit të kadetëve-oficerëve, që për 7 muaj vijuan studimet ushtarake në këtë kolegj. Pjesë e Kolegjit Mbretëror të Forcave Ajrore në Cranwell ishin edhe dy pjesëtarë të Forcës së Sigurisë të Kosovës; nëntoger Rilind Idrizi dhe tetari Feti Pronaj.

Nëntogeri Rilind Idrizi ka treguar performancë të jashtëzakonshme në fushën e studimeve ushtarake, akademike dhe praktike, dhe si rezultat i këtyre arritjeve ka marr çmimin e studentit më të mirë ndërkombëtar.

Nëntogeri Idrizi, këtë çmim e ka pranuar nga oficeri komandues i këtij kolegji-Marshall Steve Rochell.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, pas përfundimit të ceremonisë së diplomimit, tha: "Jam shumë i kënaqur me performancën e dy pjesëtarëve tanë, nëntoger Idrizit dhe tetar Pronajt, si pjesëtarët e parë që diplomuan në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore. Ata kanë demonstruar standarde të larta gjatë studimeve të tyre në këtë kolegj. Si komandant i Forcës së Sigurisë të Kosovës jam shumë i kënaqur me çmimin që nëntogeri Rilind Idrizi e ka fituar si rezultat të paraqitjes së jashtëzakonshme të tij, por njëkohësisht jam i kënaqur edhe me tetarin Feti Pronaj, si nënoficer i parë, që me sukses ka përfunduar studimet në këtë kolegj të Mbretërisë së Bashkuar. Suksesi i kadetëve dhe oficerëve tanë në Akademitë më prestigjioze në Botë, është edhe një dëshmi se FSK-ja po ndërtohet me standardet më të larta profesionale të nivelit të shteteve të NATO-s” tha komandanti i FSK-së, gjeneral Rama.

Në Akademinë Mbretërore Sandhurst dhe në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore të Mbretërisë se Bashkuar, deri më tani, kanë diplomuar me sukses 17 kadetë të FSK-së, duke përfshirë edhe tri kadete.

{gallery}