Arbëri

Vulin thotë se në Kosovë s’ka forcë tjetër ushtarake pos KFOR-it

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, në takimin me gjeneralin amerikan në NATO, theksoi ndër të tjera se KFOR-i është e vetmja forcë ushtarake në Kosovë.

Veç tjerash, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, në takimin me gjeneralin e NATO-s, Curtis Scaparrotti, deklaroi se përcaktimi strategjik të tij është ta mbajë statusin e forcave neutrale, transmeton rtk raportimin e medieve të Beogradit.

Ndërkohë që, në anën tjetër, theksoi ministri Vulin, “kemi dëshirë të kemi bashkëpunim me të gjithë aktorët relevantë në ruajtjen e paqes e të sigurisë në botë”, njoftojnë mediat serbe.

"Prandaj, lidhur me këtë, Serbia është e interesuar të ketë bashkëpunim me NATO-n, në kuadër të Partneritetit për Paqe”, theksoi ministri Vulin.

Në takim u potencua edhe bashkëpunimi i ushtrisë serbe me forcat e KFOR-it, si forcë ushtarake që garanton paqen e sigurinë në vend, që u vlerësua si bashkëpunim i një niveli të lartë.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, theksoi se KFOR-i është i vetmi institucion ushtarak në Kosovë dhe se tjetër forcë ushtarake në Kosovë nuk ka.