Arbëri

Specializantët protestojnë para MSH-së, kërkojnë realizimin e kërkesave të tyre

Specializantët e angazhuar në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) kanë protestuar sërish para Ministrisë së Shëndetësisë të enjten. Ata po kërkojnë me ngulm realizimin e kërkesave të tyre.

Specializantët thonë se kërkesat janë paraqitur që nga muaji dhjetor, por nuk janë realizuar, pavarësisht premtimit të ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, se ato do të kryhen në fillim të janarit.

“Specializantët kanë katër kërkesa kryesore. E para është kalimi i kategorisë së specializantëve nga vetëfinancimi në të rregullt, e dyta pagesa e kujdestarive, e treta miratimi ligjit për paga dhe çështja e ndryshim plotësimit të udhëzimit administrativ për shkollim specialistik që i bën të mundur këto kërkesa që ne po i kërkojmë”, ka thënë Arianit Zajmi, kryetar i Këshillit të specializantëve.

“Sot paguhen vetëm dy kujdestari, dy të zakonshme nga 50 euro. Nëse një kujdestari rastis të jetë të shtunën, të premten, ose të dielën, atëherë kjo kujdestari do të paguhet në kundërshtim me ligjin e punës me një pagë 50 euro prapë dhe kjo është prapë në kundërshtim me ligjin e punës. Kujdestaritë si kujdestaria e katërt, e pestë bëhen kujdestari pa pagesë, nuk paguhen dhe nuk e merr askush përgjegjësinë për t’i paguar specializantët. Çdo kujdestari, çdo punë e jona të paguhet, kjo është kërkesa jonë”, shtoi ai.

Ata gjithashtu kërkuar zgjidhje për specializantët që kanë mbetur në vetëfinancim.

Specializantët kanë protestuar për kërkesat e njëjta që nga muaji dhjetor.