Arbëri

Muja alarmon për kolaps të mundshëm energjetik: Duhet të gjejmë shpejt shtegdalje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se Kosova rrezikon kolaps të mundshëm energjetik nëse nuk gjendet shpejt një shtegdalje për t’u larguar nga kriza që ka prekur vendin, me vendimin e Gjykatës së Apelit për ta pezulluar vënien e blloktarifës në energji.

Në “Interaktiv” të KTV-së, Muja ka thënë se kriza energjetike ka rrënjë te mënyra e rregullimit të sistemit dhe neglizhimit që i është bërë ndër vite.

Me vendosjen e tarifës prej 800 kilovatë, sipas Mujës, ka qenë ideja që të paguajnë më shtrenjtë për rrymën vetëm ata që e tejkalojnë shumën që mund të prodhohet brenda vendit, pra sasinë e importuar, që sivjet qe shumë më shtrenjtë.

“Qëndrimi im personal është që Kosova s’duhet të jetë pa rregullim. Operatorët dhe furnitorët duhet të kenë tarifa. Sa kujtoj unë më 2017, ka pas vendim të Gjykatës për bartjen e faturave të veriut te të gjithë konsumatorët. Mbi bazën e precedentit duhet të ndërtojë reagim në të ardhmen. KEK-u është i licencuar si furnitori i fundit dhe duhet reagim i shpejt që të evitohet një kolaps energjetik. Duhet brenda muajit të kemi një shtegdalje nga kjo”, ka thënë ai duke shtuar se çfarëdo mostrajtimi i shpejtë i situatës sjell rreziqe.

Ai ka kritikuar opozitën se qëllimisht ka çuar në gjykatë vënien e tarifave për të futur Kosovën në kolaps energjetik dhe që me Komisionin Hetimor të diskutojë në vazhdimësi për çështjen.