Arbëri

Kosova kërkon që “Bondsteeli” të bëhet bazë e përhershme ushtarake e SHBA-së

Descriptive Text

Kampi ushtarak “Bondsteel”, që ndodhet në Kosovë, të kthehet në bazë të përhershme ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë kërkesa që kryeministri Albin Kurti ka shtruar në një takim me kongresistin Mondaire Jones në Washington.

Siç ka njoftuar kryeministria, Kurti dhe Jones kanë diskutuar për sigurinë në Evropë pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe rrezikun që ndikimi rus në Ballkan paraqet për paqen e stabilitetin në rajon.

“Kryeministri Kurti vuri theksin te kërcënimi për sigurinë e Kosovës dhe rajonit që mund t’iu vijë nga aleanca ushtarake e Serbisë me Rusinë dhe theksoi nevojën për demilitarizimin e brezit tokësor disakilometërsh rreth kufirit të Kosovës, ku Serbia ka vendosur gjithsej 48 baza operuese ofensive (28 baza ushtarake dhe 20 sosh të xhandarmërisë)”, thuhet në njoftim të Zyrës së Kryeministrit.

Njoftimi thotë se Kurti “e njoftoi kongresistin Jones për përpjekjet dhe angazhimin për të tërhequr investime, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe për të krijuar vende pune të qëndrueshme dhe të mirëpaguara në Kosovë”.