Arbëri

Në Han të Elezit thonë se Qeveria ua mori pronën e fituar me gjyq

Pronat Han të Elezit - AKP

Me një vendim të Qeverisë Kurti, shtatë komunave u janë marrë prona që i kishin në shfrytëzim, për t’i kaluar në administrim të AKP-së. Por, në Han të Elezit thonë se gabimisht Qeveria i ka përfshirë edhe pronat e kësaj komune. Zyrtarë komunalë argumentuan se prona, ku janë bërë disa investime, nuk ishte e AKP-së dhe se ajo ishte fituar në një kontest gjyqësor qysh në vitin 2016

Një çerdhe që është e vetmja në Komunën e Hanit të Elezit ka kohë që është ndërtuar dhe ka hapur dyert për fëmijët. Por, prona në të cilën ajo ndodhet, nga Qeveria e Kosovës është vendosur që të kthehet nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Të njëjtin fat e kanë edhe disa prona të tjera që Komunës së Hanit të Elezit i ishin dhënë për shfrytëzim në vitin 2018, me një vendim të Qeverisë gjatë kohës sa ajo drejtohej nga Ramush Haradinaj.

Në këtë komunë pretendojnë se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti gabimisht ka vepruar me këto prona, meqë i ka trajtuar njëjtë sikur ato të gjashtë komunave të tjera që Qeveria Haradinaj ua kishte dhënë në shfrytëzim.

Bajrush Laçi, përfaqësues juridik i Komunës së Hanit të Elezit, thotë se pronat që kanë qenë duke i shfrytëzuar nuk kanë qenë asnjëherë të AKP-së dhe nuk i duhet t’i jepen në administrim kësaj Agjencie.

“Vendimi i Qeverisë Kurti i datës 30.04.2022 me numër 18/73 mendoj që është gabim juridik, pasi këto prona në Komunën e Hanit të Elezit nuk kanë qenë prona të AKP-së, por kanë qenë prona të ish-Sekretariatit të Mbrojtjes, të ish-Jugosllavisë, dhe nga paslufta ne i kemi shfrytëzuar si Komunë e Hanit të Elezit”, ka thënë ai.

Pas pranimit të planit të Ahtisaarit më 2008, prona e paluajtshme e Republikës Federative të Jugosllavisë i ka kaluar në pronësi Kosovës.

Laçi thotë se më 2016 ato prona Komuna i ka fituar me vendim të Gjykatës Supreme, pas një kontesti gjyqësor që kanë pasur, por, meqë nuk i kanë regjistruar në Agjencionin Kadastral të Kosovës, të njëjtat me vendim të Qeverisë së atëhershme, të drejtuar nga Isa Mustafa, janë regjistruar si prona të Qeverisë. E dy vjet më vonë, me vendim të Qeverisë Haradinaj, i janë dhënë sërish për shfrytëzim afatgjatë Komunës së Hanit të Elezit.

Kësisoj, sipas zyrtarëve komunalë, AKP-ja nuk ka qenë e përfshirë në këtë mes.

Në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk e kanë përjashtuar mundësinë se vendimi i Qeverisë Kurti i datës 30 prill 2022 mund ta ketë përfshirë gabimisht Komunën e Hanit të Elezit, në mesin e gjashtë komunave të tjera që kanë qenë duke shfrytëzuar prona të AKP-së me vendim të Qeverisë Haradinaj.

“Lidhur me vendimin e Hanit të Elezit, mbetet të shihet nëse edhe ky vendim është sipas kërkesave të njëjta apo është bërë gabim”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë.

Në pronat në Han të Elezit, të cilat me vendimin e fundit të Qeverisë duhet t’i vihen në administrim AKP-së, janë planifikuar e investuar projekte në vlerë rreth 500 mijë euro. Në mesin e tyre është edhe një park i cili është buxhetuar këtë vit nga vetë Qeveria Kurti me vlerë rreth 160 mijë euro.

“Ne në këto prona kemi të investuar çerdhe, e cila veç është funksionale, kemi fushën e futbollit, edhe ajo funksionale, zjarrfikësit, kemi një treg të gjelbër dhe tani së fundmi kemi të planifikuar, madje edhe Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete me buxhetin e vitit 2022 që të bëhet parku i qytetit po në këto prona”, ka thënë Laçi.

Ky zyrtar komunal thotë se ndonëse para se të merrej ky vendim kryetari i Komunës, Mehmet Ballazhi, ka pasur dy takime me ministrin e MAPL-së, Elbert Krasniqi, ai nuk ia ka komunikuar paraprakisht mundësinë e marrjes së një vendimi të tillë.

Më 6 maj, zyrtarët komunalë i janë drejtuar MAPL-së me një letër sqaruese për çështjen dhe me kërkesë për korrektimin apo anulimin e këtij vendimi, por që ende nuk kanë marrë përgjigje.

Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka thënë se problemi është pasojë e mungesës së komunikimit midis Qeverisë e komunave.

“I gjithë ky problem është shkaktuar nga Qeveria për shkak të mosbashkëpunimit të sinqertë me autoritetet lokale. Po të kishte një bashkëpunim me nivelin lokal, atëherë të gjitha këto probleme do të sqaroheshin”, ka thënë Ibrahimi.

Në fund të muajit të shkuar, me vendim të Qeverisë Kurti, është shfuqizuar vendimi i Qeverisë Haradinaj dhe i janë rikthyer AKP-së pronat që i kishin në shfrytëzim edhe gjashtë komuna të tjera: Gjilani, Ferizaj, Suhareka, Skenderaj, Deçani dhe Juniku.