Arbëri

Politikanët ngushëllojnë familjen e Qani Mehmedit

I nominuari për kryeministër nga koalicioni LAA, Avdullah Hoti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e gazetarit dhe publicistit Qani Mehmedi.

“Dëshiroj t’i shpreh ngushëllime familjes se Qani Mehmedit. U prehtë në paqe. Ngushëllime në veçanti djalit të tij Mentorit, një mik i imi, një ekspert që me kompetencë të lartë po e përfaqëson shtetin e Kosovës në FMN në Washington”, ka shkruar Hoti.

Ndërkaq, ngushëllime për vdekjen e Mehmedit ka shprehur edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.

“Me keqardhje dhe dhembje të thellë mora lajmin për vdekjen e gazetarit, Qani Mehmedi. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të afërmit e tij. Ai dha kontribut të madh për gazetarinë, publicistikën dhe jo vetëm. Në emrin tim dhe të Nisma për Kosovën ju shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve, miqve, e kolegëve te të ndjerit, Qani Mehmedi. Ngushëllime”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Edhe Partia e Drejtësisë i ka shprehur ngushëllime familjes Mehmedi për humbjen e Qaniut.

“Sot, media shqiptare është në zi për vdekjen e gazetarit dhe publicistit të mirënjohur Qani Mehmedi, i cili ka qenë në ngjarjet dhe zhvillimet për Pavarësinë e Kosovës qysh në ditët e para. Ai në kohët më të vështira ishte zë i fuqishëm për të gjithë shqiptarët. Partia e Drejtësisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Qani Mehmedit, i cili i ka kryer detyrat me nderë dhe nuk iu ka mbet borxh shqiptarëve”, ka shkruar PD në letrën e saj ngushëlluese.

Ngushëllime ka shprehur edhe i nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj.

“I dhimbshëm lajmi për ndarjen e hershme nga jeta të Qani Mehmedit, njërit prej emrave më të njohur të medias shqiptare. Kontributi i tij ndër vite në skenën mediale e politike të Kosovës, sigurisht që ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Veç atij i kishte hije fjala “vertikalisht në këmbë”! Prehu në paqe Qani Mehmedi”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe kreu në largim i Kuvendit, Kadri Veseli, ka ngushëlluar familjen Mehmedi për humbjen e Qaniut.

"Paska vdekë Qani Mehmedi, një gazetar, publicist dhe njeri shumë i mirë e gazmor. Për herë të parë e kam takuar në Tiranë gjatë viteve të nëntëdhjeta ku punonte si korrespondent dhe jepte kontribut shumë të çmuar. Qoftë i paharrueshëm kujtimi për të", ka shkruar Veseli në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ngushëlloi familjen Mehmedi, dhe të gjithë gazetarët e Kosovës pas ndarjes nga jeta të gazetarit dhe publicistit të shquar, Qani Mehmedi.

“Me dhimbje dhe pikëllim e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Qani Mehmedit, gazetar dhe publicist i shquar i medias shqiptare. Me punën e tij shumëvjeçare në televizion, në radio dhe në mediat e shtypura në Kosovë dhe më gjerë në botën shqiptare, Qani Mehmedi dha kontribut të madh për informimin e drejtë, për mendimin e lirë si dhe për zhvillimet politike e demokratike”, thuhet në mesazhin e Mustafës.

Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij personal, kryeministri Mustafa theksoi se vdekja e Qani Mehmedit është humbje e madhe për familjen, për kolegët dhe për gazetarinë e publicistikën shqiptare.