Arbëri

Krasniqi pas formimit të komisionit hetimor: Do ta zbardhim secilin fakt

Descriptive Text

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se me formimin e komisionit hetimor për energjinë, të iniciuar nga opozita, ka triumfuar demokracia në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, me këtë vendim “U ruajt kushtetutshmëria dhe e drejta themelore e opozitës për hetim parlamentar e mbikqyrje të punës së Qeverisë”.

“Përmes themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike, të nisur nga Partia Demokratike e Kosovës e me mbështetje të deputetëve opozitarë, do të zbardhim secilin fakt, do t'i japim përgjigje secilës pyetje dhe do të kërkojmë sqarim për secilin vendim që Qeveria ka marrë muajt e fundit në menaxhimin e krizës energjetike në vend. Mbi të gjitha, qytetarët e Kosovës do ta kuptojnë se pse Qeveria i detyroi të paguajnë 100 për qind më shtrenjtë energjinë elektrike në emër të importit, kur Kosova prodhoi mjaftueshëm energji. Po ashtu, do të mësojmë se ku shkuan dhe si u shpenzuan mbi 100 milionë euro të cilat u ndanë për të subvencionuar energjinë”, ka shkruar ai në Facebook. “Qytetarët kanë kërkuar llogaridhënie dhe transparencë – ne do të sigurohemi që ata t'i kenë të dyja”.

Pas një sage disa javëshe, të enjten Kuvendi formoi dy komisione hetimore për energjinë, njërin të propozuar nga opozita për menaxhimin e krizës së fundit dhe njërin të propozuar nga pushteti për të gjitha çështjet mbi energjinë që prej vitit 2006. Të enjten seanca u përcoll edhe me tensione, pasi që opozitarët protestuan duke kundërshtuar mbajtjen e pikave tjera në seancë.