Arbëri

Vuçiq: Situata e Serbisë është komplikuar më tej me deklaratat e fundit të Putinit

Descriptive Text

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se darka joformale e të mërkurës mbrëma në Berlin me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ishte mjaft e vështirë. Ai ka thënë se përfaqësuesit gjermanë kanë këmbëngulur që çdo gjë që është nënshkruar në Marrëveshjen e Brukselit duhet zbatuar, raporton “TV Pink”.

Vuçiq është prononcuar pas takimit që pati me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Vuçiq i pyetur për të zbuluar më tepër detaje për takimin e të mërkurës, ka thënë se nuk do të flasë për detaje, por se biseda ishte “shumë e vështirë”.

Ai ka paralajmëruar takim në nivel të kryenegociatorëve më 13 maj.

“Bisedimet do të vazhdojnë. Drejtori i Zyrës për Kosovë e M., Petar Petkoviq, më 13 maj udhëton në Bruksel për të tentuar që të pajtohemi për ndonjë gjë”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se është problem për Beogradin që disa refuzojnë të flasin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por thotë se me rëndësi është se të gjithë përfaqësuesit gjermanë kanë thënë se ajo që është nënshkruar duhet zbatuar.

“Detyra ime është të luftoj për Serbinë dhe do të vazhdoj të bëjë këtë”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se deklaratat që ka dhënë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në takim me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, duke krahasuar rastin e Kosovës me atë të Donetskut dhe Luhanskut, e bëjnë situatën e Serbisë edhe më të vështirë.

Putin kishte thënë se ka lexuar gjithë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për rastin e Kosovës dhe nëse GJND-ja ka vendosur ashtu atëherë është krijuar precedent edhe për të vepruar ngjashëm në Donetsk e Luhansk, që këto dy rajone separatiste të Ukrainës ta shpallin pavarësinë.

“Pozita jonë është gjithsesi e vështirë dhe e komplikuar, dhe është komplikuar më tepër me deklaratat e presidentit Putin. Kam frikë se pozicioni ynë është i vështirë edhe në aspektin ekonomik”, tha Vuçiq.