Arbëri

“Shqipëria ta kërkojë njohjen e Kosovës nga Ukraina”

Volodymyr Zelensky, Ukraina, Shqiperia

Mbështetja morale që i ka dhënë Kosova Ukrainës në luftën ndaj agresionit rus, duhet të shfrytëzohet nga Shqipëria që me një rol më aktiv t’i kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës, ka thënë në Interaktiv të KTV-së, të martën Altin Gjeta, politolog nga Shqipëria.

Sipas tij, Shqipëria ka mundësi të ketë ndikim më të madh se Kosova tash në arenën ndërkombëtare për të kërkuar njohjen e shtetësisë.

“Edhe Shqipëria edhe Kosova janë vende të vogla... S’kanë kapacitete as ushtarakem as diplomatike për rol të rëndësishëm, por mendoj se ndoshta Shqipëria, si anëtare e NATO-s, mund të ketë rol më aktiv në ndihmën e lobimin në Kiev për të ndërtuar qasje më miqësore ndaj Kosovës dhe ky është moment që, duke pas parasysh mbështetjen e jashtëzakonshme, të paktën morale që ka dhënë Kosova për Ukrainën, duke mirëpritur gazetarë, duke e mbështetur në arenën ndërkombëtare të gjithë luftën e drejtë që po bën Ukraina ndaj agresionit rus, ndoshta do të duhej të kapitalizohej politikisht e të merrej premtimi ose gjysmëpremtimi nga Ukraina për njohje eventuale të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Në ditën kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu adresua deputetëve të Shqipërisë, Gjeta ka përshkruar kërkesat e liderit ukrainas duke i cilësuar si legjitime. Ndër kërkesat kryesore të Zelenskyt ishte që Shqipërua t’ua ndalojë hyrjen turistëve rusë këtë verë. Për këtë Gjeta ka thënë se do të mund të shfrytëzohej përkohësisht si vendim deri të qartësohen idetë se si do të zhvillohet konflikti në Ukrainë. ai ka thënë adresimi që Zelensky bëri para deputetëve shqiptarë ka pasur për qëllim vijimin e strategjisë për të forcuar koalicionin kundër pushtimit rus. Sipas tij, Shqipëria është zgjedhur për fjalim nga Zelensky sepse në rajon është ndër shtetet e para të pranuara në NATO dhe se është anëtare, edhe pse jo e përhershme, e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

Deklarimin e presidentit rus, Vladimir Putin, që u mundua të shtrijë paralele mes Donetskut e Luhanskut në Ukrainë, si rajone që kanë shpallur pavarësinë, me Kosovën, Gjeta e ka parë si interes të përkohshëm të Rusisë. Ai ka thënë se krijimi për të ndërtuar paralele mes rasteve është për të justifikuar veprimet luftarake në Ukrainë.

“Megjithatë, ne e dimë që s’është rasti i njëjtë. Kosova është sui-generis. Rusët në Ukrainë s’janë spastruar etnikisht si shqiptarët në Kosovë. S’ka pasur gjenocid ndaj rusëve në Ukrainë”, ka thënë ai.