Arbëri

Bashkëpunim transatlantik për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Bashkëpunimi transatlantik për një ripozicionim të ri gjeostrategjik në Ballkan pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën po shihet si mundësi që Kosova dhe Serbia të shkojnë drejt një marrëveshjeje finale dhe gjithëpërfshirëse. Pas SHBA-së, që kërkoi hapa urgjentë për rikthim në tryezën e negociatave, edhe një ndër vendet promotore të BE-së, Gjermania, është aktivizuar. Kancelari Scholz ka ftuar në takim muajin e ardhshëm kryeministrin e Kosovës, Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Vuçiq. Lëvizjet e Perëndimit analistët i shohin si përpjekje për një ripozicionim gjeostrategjik të Ballkanit Perëndimor

Aktivizimi i diplomacisë transatlantike në zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë po shihet si momentum i rëndësishëm për ta kërkuar arritjen e një marrëveshjeje finale.

Pas vizitës së delegacionit amerikan në Prishtinë, ditë më parë, ku u kërkuan hapa urgjentë në dialog, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, më 4 maj do t’i presë në selinë e tij në Berlin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në qendër të takimeve do të jenë qëndrimet ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Prezent në takimet e iniciuara prej Gjermanisë do të jetë edhe ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Kurti e Vuçiqi s’kanë pasur takim në kuadër të dialogut që nga vera e vitit 2021.

Njohës të këtij procesi thonë se rindezja e motorëve transatlantikë po bëhet me synimin që t’i jepet fund status quos në raportet Kosovë-Serbi dhe një ripozicionimi të ri në Ballkan.

“Ka një lloj interesimi për dialog të përshpejtuar, marrë parasysh krizën në Ukrainë. Prandaj duke iu referuar edhe deklaratave dhe zyrtarëve tjerë të Bashkimit Evropian dhe vendeve veç e veç, një dinamizim i procesit në aspekt të analizës logjike mund të jetë i pritshëm”, ka thënë Arbër Fetahu, hulumtues për dialogun në Grupin për Studime Juridike dhe Politike. “Vizita e delegacionit amerikanen erdhi edhe në një kontekst tjetër gjeopolitik pas krizës në Ukrainë dhe shihet se SHBA-ja dëshiron të ketë një lloj ripozicionimi gjeopolitik edhe në Ballkan. Në njëfarë forme do të tentojë t’i mbyllë vatrat e krizës duke krijuar një front më properëndimor me Kosovën, Shqipërinë dhe ndoshta sa më shumë që mundet edhe me Serbinë dhe me vendet e tjera si Bosnjë- Hercegovina”.

Por, sipas tij, do të jetë vështirë që vetëm njëra palë t’i imponojë temat e veta. Derisa kryeministri Kurti vazhdon të insistojë se çfarëdo marrëveshjeje duhet ta ketë në qendër të saj njohjen e ndërsjellë, Serbia e kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rreziku për kurthim në kohë

“Nuk është vetëm pala e Kosovës që mund të vendosë si të vazhdojë dialogu, pasi edhe pala serbe ka synime, me pozicionimin e saj paksa më neutral edhe karshi Rusisë, BE-së dhe SHBA-së. Mbetet të shihet nëse SHBA-ja njëmend do ta vendosë në binarë dhe do ta drejtojnë Serbinë drejt rrugës së dialogut”, ka theksuar ai, duke shtuar se Kosovës i duhet një konsensus nacional sa i përket temës së Asociacionit.

Ai ka përmendur edhe pengesat e tjera që mund ta pengojnë arritjen e marrëveshjes.

“Hipotezat tona mund të mbesin të gabuara, marrë parasysh edhe trilerin politik që vazhdon në dialogun Kosovë-Serbi me shumë bllokada dhe shumë ndërprerje. Shpeshherë ka edhe ndryshim të kursit nga njëra palë apo tjetra, që nuk është larg mendsh se mund të ketë edhe një stagnim, marrë parasysh se marrëveshja për targa nuk arriti të zhbllokohej dhe të shndërrohej një marrëveshje e përhershme. Pra, rreziqet për kurthime në kohë ekzistojnë ende”, ka thënë ai.

KOHA ka pyetur në Zyrën e emisarit të BE-së për dialogun, Lajçak, përkitazi me mospajtimet dhe çështjet që pritet të diskutohen, por nga aty është kërkuar referimi i një statusi të emisarit, i cili ka njoftuar se një zgjidhje e përhershme do të tentohet në takimin e 13 majit.

Derisa mungojnë rezultatet në dialog, zyrtarët e Kosovës në disa raste e kanë akuzuar Vuçiqin se po tenton destabilizimin e veriut sipas skenarit të Rusisë në Ukrainë. Pasi Kurti e cilësoi Vuçiqin si Putini i vogël i Ballkanit, zyrtarët serbë u kundërpërgjigjën duke thënë se Kurti që sillet si Hitler i vogël në Ballkan nuk është i interesuar për dialog. Tensionet janë manifestuar edhe me sulme ndaj policisë së Kosovës në veri, të cilat ende nuk janë zbardhur.

Të pazbatuara vazhdojnë të mbesin edhe marrëveshje të tjera nga dialogu që nisi në vitin 2011. Serbia është fajësuar se ka bllokuar marrëveshjet për energji, diploma dhe për kadastra.

Ka penguar rivitalizimin e plotë të Urës së Mitrovicës dhe rivitalizimin e rrugës kryesore në Mitrovicën veriore, shpërbërjen e komunave paralele serbe, si dhe ka sabotuar zbatimin përfundimtar të marrëveshjes për shuarjen e “mbrojtjes civile”.

Në lidhje me këto struktura, shqetësim para amerikanëve shprehu edhe presidentja Vjosa Osmani.

Status quoja në favor të Rusisë

Diplomatët e lartë amerikanë gjatë qëndrimit në Prishtinë tërhoqën vërejtjen se status quoja në dialog i konvenon vetëm Rusisë.

Rusia që pas 30 vjetësh solli luftën në Evropë, jo rrallë e ka përdorur rastin e Kosovës për ta arsyetuar sulmin mbi Ukrainën. Madje së fundi presidenti rus, Vladimir Putin, në takim me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Gutierres, tha se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) me rastin e Kosovës ka krijuar precedent dhe “bazuar në këtë, edhe Republika e Donetskut dhe ajo e Luhanskut mund ta shpallin pavarësinë”.

Donetsku e Luhansku janë dy territore separatiste në lindje të Ukrainës, pavarësinë e të cilave e ka njohur Rusia.

Abër Fetahu (GLPS) vlerëson se debati rreth këtij vendimi mund t’i përfshijë edhe palët e tjera.

“Pala kosovare duhet të jetë e qartë në argumentimin e pavarësisë së saj dhe të opinionit të GJND-së, se shpallja e pavarësisë është bërë në harmoni me ligjet ndërkombëtare, dhe ky shembull nuk mund të ndiqet për secilin rast veç e veç. Prandaj ripozicionimi i Kosovës duhet të jetë asisoj që të ketë një harmonizim me politikat e SHBA-së, BE-së, respektivisht me vendet veç e veç që janë sponsoruese të pavarësisë”, ka potencuar Fetahu.

Deklarata e Putinit ka nxitur reagime në Serbi, e cila deri tash ka pasur mbështetjen e Rusisë rreth çështjes së Kosovës, shtetësinë e së cilës nuk e njeh. Mediat e afërta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, janë shprehur të tronditura nga deklarata e presidentit rus duke e cilësuar si njohje të shtetit e “thikë pas shpine për Serbinë”.

“Putini po luan në Kosovë”, ka shkruar gazeta “Informer” që në përmbajtje ka thënë se verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të vitit 2009 erdhi falë Vuk Jeremiqit, rival politik i Vuçiqit. Gazeta “Blic” ka shkruar se “Putini ka harruar serbët dhe Kosovën për shkak të luftës në Ukrainë”.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka konstatuar në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.