Arbëri

Murati për tërheqjen e Trustit: Na e kanë lënë një gropë prej 110 milionë eurosh

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se qeveria e kaluar ia ka lënë qeverisë aktuale një gropë prej 110 milionë eurosh, të cilat duhet t’i paguajnë për rimbursim, për qytetarët të cilët kanë bërë tërheqjen e 10% të mjeteve të Trustit në vitin 2020.

Murati në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë të shtunën, ka thënë se me ato mjete do të mund të bënin politika të reja, duke mbështetur pensionistët apo familjet me asistencë sociale.

“Na e kanë lënë një gropë prej 110 milionë euro për ta paguar rimbursimin. Në vend që me politika fiskale, me paratë që i mbledhim për buxhet, të bëjmë politika të reja për t’i mbështetur qytetarët, apo t’i rrisim pensionet, apo mbështetjen për familjet me asistencë sociale. 110 milionë euro duhet t’i marrim prej buxhetit për t’i rimbursuar ata që I kanë tërhequr mjetet në vitin 2020. Dmth këso politike e papërgjegjshme ka ndodhur”, ka thënë Murati.

Sipas tij, një tërheqje e sërishme e mjeteve nga Trusti do të krijonte presion inflacionar.

“Sa i përket efektit tani nëse do të ndodhte, ndikimi do të ishte negative në ekonomi sepse jemi në një ambient inflacionar. Në ambiente kur ka presion inflacionar është e vetëkuptueshme që çdo shtim i sasisë së parasë në treg në mënyrë të pakontrolluar krijon presione të reja inflacionare. Kjo do t’i dëmtonte familjet që janë më në nevojë dhje që as që kanë trust, kryesisht i dëmton ata që janë të papunë dhe atë të sektorit privat që as që kanë kursime në Trust”, është shprehur Murati.