KGJK-ja po reflekton pas vendimit të Kushtetueses edhe për Gjykatë të Apelit

17 korrik 2017 19:30

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përveç përsëritjes së votimit për pozitën e kryetarit të Gjykatës Supreme, tani do të duhet ta përsërisë edhe atë për pozitën e kryetarit të Gjykatës së Apelit.

Kjo për shkak se Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një aktgjykim, pas ankesës së bërë nga Tonka Berishaj, përmes të cilit ka konstatuar se janë shkelur disa nene të Kushtetutës kur në krye të Gjykatës së Apelit është zgjedhur Hasan Shala, raporton KTV.

Bazuar në këto shkelje kushtetuese, kjo Gjykatë ka vendosur që ta shpallë të pavlefshëm vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është pajtuar edhe i zgjedhuri në këtë pozitë Hasan Shala, i cili ka njoftuar se nuk është më kryetar i Gjykatës së Apelit.

“Pres që KGJK-ja, shumë shpejt t’i kryejë obligimet e veta në raport me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ne të vazhdojmë me synimet tona të përbashkëta, për një Gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, efikas, transparent, të besueshëm dhe llogaridhënës”, ka thënë ai.

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit, Tonka Berishaj, kishte dalë kandidatja e parë, duke fituar 100 pikë nga dy kandidatët e tjerë, bazuar në vlerësimin e komisionit, por në mbledhjen e KGJK-së,të mbajtur në janar, në rundin e parë kishte marrë 2 vota "PËR", 1 "KUNDËR" dhe 6 "ABSTENIME".

Ndërkaq, në raundin e dytë që u zhvillua në të njëjtën ditë, Hasan Shala, i renditur si kandidati i dytë në listë në bazë të pikëve , mori 7 vota "PËR", 1 votë "KUNDËR" dhe 1 "ABSTENIM".

Pas këtij votimi, Këshilli Gjyqësor kishte zgjedhur atë kryetar të Gjykatës së Apelit.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës thotë se ata janë duke e analizuar këtë vendim dhe atë të datës 12 qershor të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me emërimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe sa më shpejt që është e mundur, do të përcaktojë veprimet që duhet të ndërmerren për zbatimin e tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme