Kosova pa strategji për PISA-n

17 korrik 2017 20:25

6 dhjetori ishte dita kur Ministria e Arsimit shpalli rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, e që në tri fushat e testimit, nxënësit tanë nuk arritën të marrin as mesataren e pikëve.

E, Ministria e Arsimit, u mobilizua me deklarata se shumë shpejt do të krijohen strategji, e do të punohet intensivisht në mënyrë që të dihen defektet dhe të përmirësohen ato, raporton KTV.

Mirëpo, pas gjysmë viti, shumë pak po diskutohet për këtë çështje, e madje nuk ka kurrfarë konkludimi se në bazë të cilave pika, duhet të punohet.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka hartuar vetëm një grup punues, i cili ka mbajtur vetëm disa takime dhe nuk ka nxjerrë ndonjë rezultat.

Një dokument pritet të nxirret në fund të këtij viti, ndërsa në pranverën e 2018-ës pritet të mbahet testi i ardhshëm PISA.

Rinor Qehaja, njohës i çështjeve të arsimit, druan që mund të mos ketë kurrfarë përmirësimi, sepse duhen shumë ndryshime, ndërsa nuk ka mbetur edhe shumë kohë.

Prej momentit të mbajtjes së testimit, edhe gazetarët kanë analizuar komplet procesin e që, sipas tyre, fjalë u dhanë shumë, por po bëhet shumë pak punë.

Faton Fetahu, asistent ligjor në Ministrinë e Arsimit, thotë se në grupin punues ka shumë optimizëm se rezultatet do të jenë shumë më të mira.

Programi ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, PISA, i cili organizohet në më se 70 shtete, testoi nxënësit 15-vjeçarë në Kosovë.

Sipas këtij testimi, Shqipëria ka arritur rezultate shumë më të mira se Kosova.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme