Në nëntor, Kosova përballet me padinë milionëshe të AXOS-it në Arbitrazh

17 korrik 2017 19:09

Qeveria e Kosovës dhe konsorciumi “AXOS”, do të përballen në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në muajin e parafundit të këtij viti.

Lajmin e ka bërë publik, ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, raporton KTV.

Ai ka thënë se të dyja palët kundërshtare do t’i dorëzojnë faktet e tyre dhe listën e dëshmitarëve gjatë shtatorit të këtij viti.

Kjo çështje ka qenë pjesë e diskutimit në mbledhjen e Qeverisë, ku kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, i ka kërkuar ministrit të këtij resori që raportin me të gjitha detajet, ta ketë Qeveria dhe kabineti në tërësi.

Kompania gjermane “AXOS Capital” në konsorcium me “Najafi Companies”,

kishte ofruar në vitin 2013, 277 milionë euro për të privatizuar 75% të aksioneve të Telekomit të Kosovës.

Mirëpo, konsorciumi në fjalë nisi të shfaqë probleme gjatë sigurimit të mjeteve të ofruara duke kërkuar nga Qeveria që të ofrojë një mënyrë më të lehtë të pagesës.

Këto probleme çuan në vendimin e Qeverisë të marrë në dhjetorin e 2013-ës duke e anuluar tërë procesin e privatizimit nga e cila më së shumti u dëmtua vetë Telekomi, të cilit iu ndaluan të gjitha investimet e nevojshme për t’i bërë ballë konkurrencës.

Pas këtij vendimi, konsorciumi vendosi ta padisë qeverinë në Arbitrazh, duke kërkuar fillimisht dyfishin e çmimit të ofruar në privatizim, porse gjasat më të mëdha janë që shuma e përfitimit mund të sillet mes 22 e 40 milionë eurove, pasi konsorciumi kishte pranuar klauzolën që i jepte të drejtën Qeverisë të anulonte procesin e privatizimit.

Për këtë proces, Qeveria ka ndarë një shumë të madhe të parave për kompaninë që do ta mbrojë atë në këtë proces.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme