Nuk lëviz presidenti, s’ka datë për seancë

17 korrik 2017 19:04

Thirrja e seancës konstituive të Kuvendit është në duar të presidentit Hashim Thaçi. Në një përgjigje me shkrim, këshilltari i presidentit, Ardian Arifaj, ka thënë për KTV-në se ende nuk është vendosur se kur do të mbahet seanca konstituive.

Ai nuk ka dhënë arsye për vonesën e thirrjes së kësaj seance.

Për formimin e institucioneve të reja, PDK-ja mblodhi kryesinë e kësaj partie.

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, nuk ka dhënë datë të saktë për mbajtjen e seancës konstituive, por ka thënë se kjo mbetet që të vendoset nga kreu i PDK-së Kadri Veseli, i nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, dhe presidenti Hashim Thaçi.

Hoxhaj nuk ka mundur të konfirmojë nëse kreu i kësaj partie është kandidat për kryetar të Kuvendit. Ai ka thënë se seanca e Kuvendit nuk do të thirret pa e pasur shumicën e domosdoshme.

Ndërsa, AAK-ja thotë se koalicioni parazgjedhor PAN dhe i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, janë brenda afatit të tyre kushtetues e ligjor për krijimin e qeverisë.

Në një komunikatë për media, AAK-ja thotë se Ramush Haradinaj është duke punuar për një bazë të gjerë qeverisëse.

“Fushata e disa partive dhe individëve, me gjoja shtyrjen e seancës konstituive të Kuvendit, është e sajuar dhe për qëllim ka ta vërë në lajthitje e ta mashtrojë opinionin publik. Partnerët e koalicionit PAN, janë në fazën e konsultimeve me partnerët e mundshëm, jo për krijimin e numrave, për të cilët po spekulohet skajshëm, por për krijimin e një baze më të gjerë politike qeverisëse, e që rezultati i këtyre konsultimeve do të dihet menjëherë pasi që Ramush Haradinaj, edhe zyrtarisht ta marrë mandatin për krijimin e qeverisë”, ka thënë Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë së AAK-së.

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR dhe Alternativa Avdullah Hoti, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka komentuar deklaratat e zyrtarëve të koalicionit PAN se i kanë numrat për krijimin e qeverisë.

“Ata që trumbetonin me ditë të tëra se e kanë në dorë konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e fundit, janë heshtur. Pëshpëritjeve të deritanishme se i kanë numrat, më nuk u besojnë as militantët e tyre. Matematika qeverisëse nuk është një mbledhje e zbritje prej autodidakti. Ajo është besim, pikë së pari dhe dashuri për vendin. Ne nuk blejmë as shesim votën e qytetarit tonë, por e mbrojmë atë si gjënë më të shenjtë”, ka thënë Hoti.

Më 8 korrik KQZ-ja certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit. Ndërsa, presidenti ka afat ligjor deri më 8 gusht për ta thirrur seancën konstituive të Kuvendit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme