“Vonesa e konstituimit të institucioneve vetëm sa po e tensionon situatën”

“Vonesa e konstituimit të institucioneve vetëm sa po e tensionon situatën”

17 korrik 2017 18:07

Ende nuk dihet nëse edhe këtë javë do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë.

Një gjë të tillë nuk e dinë as përfaqësuesit e koalicionit PDK-AAK-Nisma, ani pse shprehen të bindur se i kanë numrat për themelimin e Qeverisë.

Mirëpo, shoqëria civile bën thirrje që të mos vonohet shumë mbajtja e seancës konstituive e Kuvendit, pas duhet t’i hapet rrugë formimit të Qeverisë, në mënyrë që të funksionalizohen institucionet e vendit.

Sipas Artan Muratit nga KDI-ja, seanca duhet të mbahet më së largu këtë javë, pasi shumë procese kanë mbetur peng i mos themelimit të institucioneve të dala nga vota e 11 qershorit.

“Duke pasur parasysh se konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë proceseve tjera dhe krijimit të Qeverisë do të ishte mirë që sa më shpejt të ishte e mundur presidenti ta thërrasë ose t’i jap dritën e gjelbër Kryesisë së vjetër nga legjislatura e kaluar për të proceduar me organizimin e seancës konstituive pasi që është humbur shumë kohë edhe me certifikimin e rezultateve dhe vetëm se jemi duke shkuar në vonesa të tjera. Andaj konsideroj se sa më shpejt duhet të thirret kjo seancë dhe kjo javë do të ishte e përshtatshme”, tha Murati për Kosovapress.

Murati thotë se vonesa e konstituimit të institucioneve, vetëm sa po e tensionon edhe me shumë situatën politike, dhe kjo u dëshmua javën e kaluar kur deputetë të partive politike përmes deklaratave jo të matura shpërthyen në rrjetet sociale.

Profesori Mazllum Baraliu e quan imediate dhe të domosdoshme konstituimin e Kuvendit sa më shpejt dhe formimit të Qeverisë, në mënyrë që të fillojë menjëherë proceset e mbetura gjysmë. Madje, sipas tij, është urgjente reformimi i sistemit elektoral, që nuk do të prodhonte kaq shumë vonesa.

“Po, gjithsesi ka vonesë të konsiderueshme dhe vonesa ose arsyet e vonesës dihen nga opinioni publik, ato janë folur e përfolur, shpjeguar shumë herë, prandaj nuk do të ndalesha aty, por gjithsesi jemi vonuar dhe do të duhej menjëherë pas zgjedhjeve dhe pas konstituimit të Kuvendit dhe mandatimit të Qeverisë të fillohej me reformimin e sistemit elektoral në mënyrë që të kemi një kod zgjedhor që do të rregulloheshin shumë gjëra dhe shumë vakuume që janë në këto ligje zgjedhore, por flas për ligjin e përgjithshëm dhe atë për zgjedhje lokale në mënyrë që të mos na ndodhin edhe vonesat edhe defektet që ky sistem elektoral i ka”, theksoi Baraliu.

Por, në anën tjetër, nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj thotë se tashmë ata janë të gatshëm dhe se vetëm po presim caktimin e datës nga presidenti i vendit Hashim Thaçi për mbajtjen e seancës konstituive. Mirëpo, nuk e dinë nëse do të ketë këtë javë apo jo seancë konstituive.

“Ne si PDK që në javën e parë pas zgjedhjeve kemi mandatuar Kadri Veselin si lider i koalicionit dhe Haradinajn si mandatar për formimin e Qeverisë që këta të jenë në kontakt të rregullt dhe të drejtpërdrejt me presidentin e vendit dhe tash iu takon këtyre treve që të shohin se kur janë pjekur rrethanat me qëllim që të mbahet seanca e parë konstituive. Qëndrimi ynë është se si koalicion qeverisës, i kemi votat e nevojshme që ta mbajmë seancën e parë të Kuvendit dhe ta votojmë pastaj Qeverinë. Por a do të ndodh këtë javë apo mund të ndodh ditët e ardhshme është temë që në detaje mund ta dinë Veseli dhe Haradinaj por mbi të gjitha është presidenti Thaçi meqë i takon atij me kushtetutë ta bëjë hapin e parë”, tha Hoxhaj.

Madje, sipas numrit dy të PDK-së, përveç se janë të sigurt që i kanë votat, porse nuk do të shkojnë në seancë pa pasur numrat e mjaftueshëm.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 8 korrik i ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit. Ndërsa, pas certifikimit, presidenti i vendit sipas Kushtetutës ka 30 ditë afat për ta thirrur seancën e parë konstituive të Kuvendit.

Të ngjashme