Lufthansa magazin: Një vizitë në Kosovë

Lufthansa magazin: Një vizitë në Kosovë

17 korrik 2017 14:52

Florian Sanktjohanser, autor i cili shkruan për revista e gazeta gjermane, njëherësh gazetar i pavarur, këtë herë ka shkruar për udhëtimin e tij në Kosovë.

Ai e përshkruan Kosovën si një vend me bukuri të rralla, me traditë e kulturë, e në veçanti për respektin që kanë kosovarët ndaj turistëve, shkruan për revistën gjermane Lufthansa.

Në detaje përshkruan udhëtimin e tij nëpër Kosovë, duke përfshirë edhe myftiun kur thërret në minare, e më pas kalon në Prizren duke përshkruar të rinjtë e të rejat.

Sanktjohanser flet edhe për Veton Nurkollarin, themeluesin e Festivalit Dokufest.

Ai tregon se ky festival tërheq 30,000 njerëz, ka mbi 200 filma që shfaqen dhe festivali zgjat një javë, ndërkaq përshkruan edhe netët në parkun Marash dhe festa që organizohet aty.

Përmes fotografive që ka realizuar Meiko Herrmann, Sanktjohanser flet për bukuritë e Prizrenit duke veçuar hamamin, xhaminë e Sinan Pashës, çatitë e veçanta nëpër shtëpi, kalanë dhe kodrat përreth.

Festivali çdo vit ka nga një moto të ndryshme, këtë vit e ka “Future”, “E ardhmja”, me një seri temash politike të cilat përfshijnë edhe emigrimin dhe korrupsionin.

Pjesëmarrëse e këtij festivali është edhe regjisorja Blerta Zeqiri, e cila ka thënë se “shumica e vizitorëve janë më të interesuar në piknik sesa politikë, kjo është arsyeja pse jam pjesë e festivalit”.

Autori tutje përshkruan ndërtesat e bukura nga një vizitë e tij në Prishtinë.

Çka atij i ka bërë përshtypje, janë dasmat që përcillen me vetura si Mercedes e BMW, tek rregullohen me lule dhe tyl.

“E shoh se vijnë të afërmit e tyre kryesisht nga Gjermania e Zvicra, vijnë këtu për t’i parë të afërmit e tyre”, shkruan ai.

“Më përshëndesin tek eci rrugëve të Prishtinës. Shoh se si i kanë rregulluar statujat si të Skënderbeut, Ibrahim Rugovës e Nënës Terezë. Është një bulevard paksa i çuditshëm, një përzierje prej kullave bankare prej xhami, hotele luksoze dhe ngastra betoni socialiste. Duket që ka mbetur edhe një pjesë e vogël e xhamive otomane”, shkruan tutje.

Bukur e përshkruan edhe Bibliotekën Kombëtare me shufrat e çelikut, Pallatin e Rinisë dhe Sporteve dhe “NEWBORN”.

“Pavarësia është shpallur më 17 shkurt 2008. Çdo vit, që nga viti 2013, “NEWBORN” ndryshon shkronjat. Është shumë interesante”, shkruan ai.

Pas kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, autori përshkruan Ujëvarat e Mirushës.

“Janë spektakël natyror”, shkruan ai.

“Nga 193 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, 114 e njohin Republikën e Kosovës si një komb sovran, por shumica e serbëve e shohin Kosovën si një pjesë të pandarë të atdheut të tyre. Kështu, Kosova me afërsisht 1,8 milionë banorë, prej të cilëve 90 për qind janë shqiptarë, ky vend mbetet i pandarë”, shkruan ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme