Arbëri

Gërxhaliu kundër “Jo”-së për tregun unik rajonal pa analiza

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu në një intervistë për DW, flet për idenë e një tregu të përbashkët rajonal, përfitimet dhe pasojat e kësaj ideje. Kosova duhet fillimisht ta analizojë propozimin.

DW: Zoti Gërxhaliu, në Samitin e Triestes është nënshkruar një deklaratë ku thuhet se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta krijojnë një treg të lirë të përbashkët. Prishtina zyrtare po e merr me rezervë këtë ide. Sa ka vend për frikë që ky treg të mos shkojë në favor të Kosovës?

Gerxhaliu: Në rend të parë duhet të kuptohet që në procese integruese nuk duhet të përdoret termi “jo” dhe të promovohet politika kundërshtuese. Evropa dhe integrimet evropiane kërkojnë më shumë alternativa. Prandaj mendoj se është e rrugës që ide të tilla të analizohen me indikatorë ekonomikë dhe të mos ketë përgjigje “jo” të përshpejtuara - pa analiza të mirëfillta. Në këtë drejtim për vetë faktin që Kosova tenton të jetë pjesë e familjes evropiane, është e pamundur që të arrihet integrimi politik pa integrim ekonomik. Kur flitet për integrim, atëherë definitivisht bashkëpunimi rajonal është ajo që i duhet Kosovës. Qasja e gabuar e Kosovës ka qenë që nuk i ka argumentuar sfidat me të cilat do të ballafaqohet në një treg të tillë, sepse kushti esencial është që të jemi të gjithë të barabartë, të kemi liri të lëvizjes së qytetarëve, mallrave dhe shërbimeve. Unë besoj se nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut dhe partneritetit. Dua të them se Evropa nuk e meriton të jemi barrë e Evropës, por të jemi pjesë e saj, pjesë e frymës së re evropiane.

DW: Qëndrimi refuzues i Prishtinës zyrtare për zonën e lirë ekonomike Ballkanike - a mund të cilësohet si qëndrim i ngutshëm?

Gerxhaliu: Kjo duhet të analizohet në tri etapa. Reagimi i Prishtinës zyrtare ka ardhur menjëherë pas Samitit të Sarajevës, një takim i cili nga dimensioni kohor ka qenë mjaft i komplikuar nga fakti që në Serbi ka pasur zgjedhje. Ndërkohë që në Serbi nuk mund të jesh politikan i mirëfilltë nëse nuk je politikan agresiv ndaj të tjerëve. Në të njejtën kohë në Kosovë kemi pasur fushatë zgjedhore dhe e tëra kjo ndoshta e ka zbehur rëndësinë e bisedës profesionale dhe argumentuese për një problematikë të tillë. Qasja me gjasë tash ka ndryshuar dhe kjo u pa në Procesin e Berlinit - që Kosova nuk është kundër bashkëpunimit rajonal. Në fund të fundit, kjo ide nuk është asgjë me shumë e as më pak se një formë e avancimit të bashkëpunimit për rritje dhe atraktivitet, për investime të huaja, ku ekonomia përdoret si formë e gjenerimit të stabilitetit politik dhe përshpejtimit të proceseve integruese, gjë që definitivisht e përmirëson imazhin e Ballkanit Perendimor.

DW: Reagimet e vetme kundër një tregu të përbashkët ishin nga Kosova dhe Mali i Zi, si dy vende të vogla të Ballkanit. Sa ekziston rreziku që tregu i përbashkët rajonal të gëlltitë apo të rrezikojë ekonomitë e Kosovës dhe Malit të Zi?

Gërxhaliu: Ajo çka është më interesante është që ne duhet t'i bëjmë detyrat e shtëpisë dhe të forcojmë dy shtyllat kryesore të funksionimit të shtetit: sundimin e rendit dhe ligjit dhe ekspertizën shkencore. Ne nuk duhet gjithmonë të prejudikojmë dhe ndoshta gjithmonë të gjejmë atë që nuk është reale. Duhet vërtet ta kemi prioritet zhvillimin ekonomik me mbështetjen e sektorit privat, të gjejmë jo vetëm mundësi për subvencionim por edhe për mbrojtje. Por duhet të jemi të barabart me të tjerët në treg. Besoj se do të ishte shumë më mirë, sikur institucionet e Kosovës të thonë: po, ne jemi për bashkëpunim por të barabartë. Të thuhet se me Sebinë kemi probleme, Bosnja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe po ashtu pesë vende të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Kështu ndoshta do të ndryshonte qasja e tyre ndaj Kosovës.

DW: Në disa medie vendore dhe ndërkombëtare ideja e një hapësire të përbashkët ekonomike është interpretuar si një synim për rikrijimin e Jugosllavisë. Sa janë të qëndrueshme këto intepretime?

Gërxhaliu: Gabimi ka qenë në një nguti të presidentit të Serbisë Vuçiq, i cili në një intervistë e ka përmendur këtë term. Mirëpo, një nocion i tillë i takon së kaluarës së pakthyer. Duhet të kuptohet që e ardhmja nuk përfiton nga patriotizmi folklorik, nga tentativat që të hijeshohet e kaluarfa. Neve na duhet një e ardhme e fokusuar tek zhvillimi ekonomik. Tek e fundit, nëse e analizoni Bashkimin Evropian dhe Traktatin e Romës, është pikërisht ajo që duhet implementuar edhe në Kosovë dhe kjo i bie që duhet të çlirohemi nga e kaluara.

DW: Zoti Gerxhaliu, në shumë komente të njohësve të integrimeve evropiane, synimi për një treg të përbashkët rajonal, është cilësuar si një shkas i Evropës që të blejë kohë dhe mos të jetë nën presionin e vendeve të Ballkanit për pranimin e tyre në BE. Sa janë të sakta pohimet se BE në këtë fazë nuk është e gatshme për zgjerim?

Gërxhaliu: Njërëzit mund të bëjnë komente të ndryshme, por duhet të kuptohet se pas zgjedhjeve në Francë, Belgjikë dhe Holandë, Evropa e ka marrë vulën e ardhmërisë së saj. Këtë dëshmon vet fakti që Gjermania e mori rolin substancial në përgatitjen e Ballkanit Perëndimor për integrim. Dhe e dyta, është shumë esenciale të thuhet se nuk duhet gjithmonë të pritet se çfarë të tjerët bëjnë për ne, por çfarë po bëjnë ne për vetën tonë. Ne duhet t'i bëjmë detyrat e shtëpisë dhe t'a kemi prioritet zhvillimin ekonomik, të mbështetur në sundim të rendit dhe ligjit. Duhet ta kuptojmë edhe një gjë, që procesi i Berlinit nuk është shkop magjik për t'i zgjidhur problemet tona, fati i ardhmërisë tonë është në duart tona.