Ku ka arritur procesi i arbitrazhit rreth rastit AXOS? Foto: Koha / ilustrim

Ku ka arritur procesi i arbitrazhit rreth rastit AXOS?

17 korrik 2017 12:27

Në mbledhjen e sotshme të Qeverisë së Kosovës, ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, ka njoftuar lidhur me proceset që po zhvillohen rreth arbitrazhit për AXOS (bëhet fjalë për kontestin rreth (mos)shitjes së PTK-së – sqarim ynë).

“Është bërë mbledhja e fakteve shtesë të nevojshme për këtë fazë. Afati për dorëzimin e raportit kundërshtues dhe dëshmive të dëshmitarëve është 1 shtatori 2017, transmeton Koha.net. Ndërkaq seanca dëgjimore në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit është paraparë të mbahet në nëntor të vitit 2017. Më 16 qershor AXOS ka paraqitur përgjigjen e tij mbi juridiksionin, meritat dhe kuantumin. Ndërkaq gjatë kësaj periudhe avokati i ynë ka bërë mbledhjen e dokumenteve dhe përgatitjen e deklaratave të reja të dëshmitarëve dhe raporteve të ekspertëve.

Më 1 shtator ne do të paraqesim kundërshtimin mbi juridiksionin, meritat dhe kuantumin. Më 29 shtator 2017 AXOS do të paraqesë kundërshtimin e vet vetëm mbi kompetencat dhe pranueshmërinë. Ndërkaq mes datave 6 dhe 17 nëntor 2017 mbahet seanca dëgjimore mbi juridiksionin, pranueshmërinë, meritat dhe kontumin, e cila do të zhvillohet në Paris. Ky gjykim duhet të ndiqet nga një përfaqësues i Kosovës, dëshmitarët dhe ekspertët në të cilën mbështete Kosova”, tha ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme