Arbëri

Hapja e ambasadës në Kosovë, jo në mesin e prioriteteve të Izraelit

Investime në fusha të ndryshme i janë premtuar Kosovës nga Izraeli. Për identifikimin e fushave për investim dhe për njohje me shtetin ku do të investohet, në Kosovë është duke qëndruar ministri izraelit për Bashkëpunim Regjional, Esawi Frej. Ai të martën ka theksuar se vetëm pas thellimit të bashkëpunimit ekonomik, mund të pasojë hapja e Ambasadës izraelite në Kosovë

Me emërimin e ambasadores do të mjaftohet edhe për pak kohë Izraeli për sa i përket krijimit të raporteve diplomatike me Kosovën, në të cilin vend ende nuk e ka një plan që në një të ardhme të afërt të hapë një ambasadë.

Ministri izraelit për Bashkëpunim Regjional, Esawi Frej, i cili ka qëndruar të martën për vizitë në Kosovë, ka thënë se shteti i tij është i interesuar që fillimisht të ketë thellim të bashkëpunimit dhe më pastaj të ndodhë hapja e një ambasade.

“Jam i sigurt që me ngritjen e lidhjeve tona ekonomike, me investimet tona, kur të rritet tregtia, do të jetë një nevojë më e madhe për një ambasadë dhe për hapa të tjerë që do të jenë përgjigje në përputhje me rrethanat. E kemi një ambasadore këtu. Kur t’i fuqizojmë raportet tona ekonomike, ambasada do të hapet, jam i sigurt. Do të nevojitet kohë, por do t’ia dalim”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Frej ka potencuar se për dallim nga Kosova, në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor Izraeli nuk ka emëruar ambasadorë.

“Kosova është e rëndësishme dhe për këtë arsye kemi një ambasadore këtu. Jo të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë ambasadorë të Izraelit. Izraeli ka ambasadorë në 80 shtete në të gjithë botën. Në shumicën e shteteve të Ballkanit nuk ka ambasadorë izraelitë, porse në Kosovë e kemi”, ka theksuar ai.

Ministri izraelit, i cili në Kosovë do të qëndrojë për disa ditë, ka premtuar investime në fusha të ndryshme.

“Jam i sigurt se ky është vetëm fillimi dhe populli i Izraelit, qeveria izraelite do të jetë ndoshta vitin tjetër, muajin tjetër këtu dhe do të jetë hapi i parë i investimeve të para në Kosovë. Por pikësëpari na nevojitet që ta njohim njëri-tjetrin, të takohemi me njëri-tjetrin. Porse jam i sigurt se jemi në rrugën e duhur, ngase e kemi vullnetin”, ka deklaruar ai.

Në vizitën e tij në Kosovë, ministrin Frej do ta shoqërojë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Në konferencën e përbashkët, Krasniqi e ka cilësuar si shumë të rëndësishme vizitën.

“Ky është moment shumë i rëndësishëm për ne, për shkak se po e thellojmë bashkëpunimin tonë. Kjo vizitë është vetëm fillimi i shumë bashkëpunimeve të ndërsjella në shumë fusha”, ka thënë ai.

Ministri izraelit, vizitën e tij në Kosovë e filloi të martën duke bërë homazhe para pllakës përkujtimore të ngritur në nderim të viktimave të Holokaustit.

Më pak se një javë më parë, presidentja Vjosa Osmani i kishte pranuar letrat kredenciale nga ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv. Ajo është emëruar në këtë post tre muaj më parë, pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit në shkurtin e 2021-tës. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike është rrjedhojë e Marrëveshjes së Washingtonit, e cila ishte nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë që asokohe drejtohej nga ish-presidenti Donald Trump.

Njohja e Kosovës nga Izraeli ishte një nga pikat e kësaj marrëveshjeje, e cila e parashihte edhe hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem në mars të vitit të shkuar.