Arbëri

Kelmendi i thotë “Po” ndërtimit të xhamisë në Prishtinë, por sipas projektit të Zaha Hadid

Producenti i emisionit Rubikon në KTV, Adriatik Kelmendi, është përfshirë në debatin e fundit në lidhje me ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë, gjegjësisht në lagjen "Dardania".

Kundër projektit fitues për ndërtimin e xhamisë tashmë ka filluar një peticion online, ndërsa edhe Kelmendi, përmes një statusi në Facebook, i ka thënë “Po” ndërtimit të një xhamie të re, mirëpo jo sipas projektit aktual që është përzgjedhur.

Përmes një statusi në Facebook, Kelmendi i ka thënë “Po” ndërtimit të një xhamie të madhe, mirëpo jo sipas projektit aktual që është përzgjedhur.

Ai thotë se xhamia e re duhet të ndërtohet sipas projektit të një arkitektëve më të shquar në botë, Zaha Hadid, e cila ka marrë pjesë në konkurs, mirëpo projekti i saj nuk është përzgjedhur.

Më poshtë ju sjellim të plotë statusin e Kelmendit:

Me pak mençuri dhe zemërgjerësi xhamia në Dardani mund të jetë në çdo rast situatë win-win.

Tashmë është e qartë se ka praktikues të devotshëm të fesë islame që e duan Prishtinën dhe e duan edhe një xhami në qendër të kryeqytetit. Me ndërtimin e saj do t'i plotësohej dëshira një komuniteti të madh qytetarësh.

Në anën tjetër, ka edhe shumë qytetarë jopraktikues të fesë islame ose të tjerave, si dhe qytetarë të feve të tjera, të cilët e duan Prishtinën dhe duan që e njëjta të jetë edhe e bukur edhe e përmendur pozitivisht në botë.

Ka qenë një fat i madh që në konkursin për xhaminë e Dardanisë të merr pjesë edhe studioja e njërës prej arkitekteve më të shquara të botës, Zaha Hadid.

Projekti i saj fascinant i xhamisë do të bënte që edhe praktikuesit e islamit ta kenë një xhami të denjë në qendër të kryeqytetit, si dhe të gjithë kryeqytetasit bashkë të mburreshin se Prishtina ka një ndër objektet më të bukura arkitektonike në botë - i cili padyshim do të kthehej në atraksion fetar e turistik nga myslimanë dhe të tjerë nga i gjithë globi.

Prishtina është e të gjithëve. Pse të mos ketë zemërgjerësi e mençuri ndërmjet prishtinasve për të mirën e saj?

Pra, pse të mos e kemi edhe një xhami kur prishtianasit e duan; dhe pse të mos e kemi edhe një kryevepër arkitektonike kur prishtinasit e duan?!